Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

, 04.05.2010




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës (dita e tretë e punës), të hapur nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, dhe të drejtuar pastaj nga Naim Mloku, anëtar i Kryesisë, nuk është miratuar Raporti i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për vitin 2009. Shumica e shefave të grupeve parlamentare dhe deputetë të shumtë, pjesëmarrës në debatin parlamentar për këtë çështje, kanë vlerësuar se Raporti i paraqitur i TKPK-së, më shumë se raport i njëmendtë, është përmbledhje teknike e pasqyrave financiare, prandaj si i tillë nuk i plotëson kushtet për tu miratuar.

Deputetë me shumicë votash nuk e kanë tumirë as Propozim- vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, me arsyetimin se nuk është përfillur kriteri që shtatë kandidatë të listës për anëtarë të këtij bordi duhej të vinin nga komuniteti i biznesit.

Deputetët, ndërkaq, me shumicë votash kanë miratuar Propozimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Anëtarë të këtij Këshilli, me mandat dyvjeçar do të jenë: Fejzullah Hasani (Gjykata Supreme e Kosovës), Miodrag Paviq (Gjykata Supreme e Kosovës),Osman Ismaili (Fakulteti Juridik), Vesel Jashari (Prokuroria e Shtetit të Kosovës), Radica Miliq (Shoqata e Prokurorëve Publik të Kosovës) dhe Destan Rukiqi (Oda e Avokatëve të Kosovës).

Seanca ka miratuar gjithashtu Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e numrit të oficerëve korrektues në Burgun e Dubravës, si dhe Propozim-vendimin për rritjen e numrit të nëpunësve në Agjencinë për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar.

Sipas Propozim-vendimit të Qeverisë, Kuvendi ka emëruar z. Naser Osmani anëtar të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (me mandat dyvjeçar), kurse z: Gani Asllani anëtar të Komisionit Kosovar të Konkurrencës (me mandat pesëvjeçar).
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit