Lajmet e fundit

Draft Fjalimi i Ministrit italian të Punëve të Jashtme, Franco Frattini para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

, 28.04.2010




I nderuari President i Shtetit,
I nderuari Kryetar i Parlamentit,
I nderuari Kryeministër dhe të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,

Vërtet kam kënaqësinë të jem në Prishtinë dhe të kem mundësi t’i drejtohem Kuvendit Kombëtar të Kosovës. Ky institucion përfaqëson thelbin e demokracisë suaj dhe është shprehja më e lartë e vullnetit të popullit dhe të pavarësisë së vendit tuaj. Po ashtu është edhe pasqyrë politike e identitetit shumetnik të Kosovës. Andaj, dëshiroj të shpreh falënderimet e mija më të ngrohta për Kryetarin e Parlamentit, z. Krasniqi, për ftesën që t’ju drejtohem sot dhe përshëndetjet më të sinqerta për të gjitha autoritetet e pranishme.

Fjalimi im këtu sot, pas vizitës në Beograd që kisha dje dhe misioneve të mia të kohëve të fundit në Tiranë dhe Sarajevë, ka për qëllim të konfirmojë prioritetin e Italisë për t’u përqendruar në rajonin e Ballkanit dhe stabilitetin e tij politik, potencialin ekonomik dhe “perspektivën evropiane.” Po ashtu, në veçanti është një dëshmi e rëndësisë që ne i kushtojmë sigurisë së Kosovës dhe zhvillimit, si nga këndvështrimi bilateral ashtu edhe nga kontekstet multilaterale.

Pavarësia e Kosovës: një fakt i pakthyeshëm dhe një përgjegjësi e cila duhet të ushtrohet – Kanë kaluar më se dy vjet që nga 17 shkurti i vitit 2008. Italia menjëherë e njohu pavarësinë tuaj, e cila tashmë është e pakthyeshme dhe një element kyç i stabilitetit të rajonit.

Por, pavarësia, siç e dini, po ashtu është një status që kërkon ushtrimin e përgjegjësive të caktuara. Në nivel kombëtar, për të garantuar sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe diskriminim. Në nivel rajonal, të kultivohen marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim pozitiv me palët e tjera përreth. Dhe në nivel evropian, duke miratuar dhe jetësuar reformat e nevojshme për të ecur para në rrugën drejt integrimit në BE.

Që nga viti 2008, vendi juaj ka arritur përparim inkurajues dhe dua të përgëzoj Kuvendin për përkushtimin që ka treguar në çdo kohë për ndërtimin dhe modernizimin e shtetit të Kosovës. Ne nuk mund të mohojmë se shumë probleme presin zgjidhje: që nga situata në Kosovën veriore deri te rigjallërimi i ekonomisë. Por, gjatë dy vjetëve të fundit, gjendja e sigurisë pa dyshim se është përmirësuar, institucionet vendore funksionojnë në mënyrë më efikase dhe anëtarësimi i Prishtinës në FMN dhe Bankën Botërore ka trasuar rrugën për pjesëmarrjen e vendit në forumet e tjera multilaterale.

Një hap i rëndësisë së veçantë në përcaktimin e trendit pozitiv ishin zgjedhjet e suksesshme komunale të nëntorit të kaluar. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm politik dhe një dëshmi e çmuar e pjekurisë së demokracisë kosovare. Kjo vlen si për mënyrën paqësore të votimeve, ashtu edhe për numrin e madh të votuesve, përfshirë edhe nga radhët e pakicave, si ajo serbe në jug të lumit Ibër. Mënyra se si u mbajtën këto zgjedhje përbënte jetësimin e parë e të kënaqshëm të parimit të decentralizimit. Andaj, ky ishte edhe një hap tjetër përpara në rrugën e ndërtimit të institucioneve dhe stabilizimit të vendit.

Decentralizimi i Kosovës: gurthemel i arkitekturës së saj institucionale – Dua të theksoj, nëse më lejohet, se decentralizimi administrativ është një element kyç në arkitekturën institucionale të Kosovës. Andaj, si i tillë, duhet të mbetet një prioritet i lartë për tërë vendin. Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen e zhvillimit të tij, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, duke siguruar se burime të mjaftueshme financiare vihen në dispozicion për jetësimin e plotë të tij. Bashkimi Evropian e sheh decentralizimin jo si një qëllim që tashmë është përmbushur, por si një zotim që kërkon përpjekje të vazhdueshme, si tani ashtu edhe në të ardhmen. Qëllimet kryesore të tij janë të arrihen përfitime konkrete për të gjithë qytetarët; të sigurohet se shërbime më efikase publike janë në dispozicion për të gjithë; dhe për t’u siguruar se burimet ekonomike janë të shpërndara në mbarë vendin në mënyrë transparente, me komunitetet lokale drejtpërsëdrejti të kyçura në menaxhimin e tyre.

E ardhmja e Kosovës: Prishtina ka një vend në familjen evropiane – Ndjekja e këtij shtegu dhe përpjekja për të vënë në jetë rekomandimet që vijnë nga Brukseli janë të rëndësisë jetike për të ardhmen e Kosovës. Dhe e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në këtë pikën e fundit, dua të jem shumë i qartë, përderisa flas para përfaqësuesve të popullit të Kosovës, me fjalë të tjera, ndonëse jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, kjo nuk ia pamundëson Bashkimit Evropian të luajë një rol aktiv politik dhe ekonomik në raport me Prishtinën. Mu sikur nuk e ndalon Kosovën të llogarisë në një “perspektivë evropiane” solide, në përputhje me atë që i është premtuar mbarë rajonit.

Italia është më se e bindur se Prishtina nuk duhet të lihet mbrapa përderisa vendeve të tjera të Ballkanit u jepet mundësua të vazhdojnë të përparojnë në procesin e integrimeve euro-atlantike. Ne kemi përshtypjen, se pikërisht tash, është në interesin e të gjithë nesh, të kompletojmë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në shpalosje e sipër drejt juglindjes pa lënë ‘hapësira boshe’ në hartë. Natyrisht se çdo vend ftohet të ndjekë shtegun e vet për arritjen e këtij synimi, sipas afateve dhe mënyrave të diktuara nga kapacitetet e secilit prej tyre për të respektuar parametrat e përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, caku i fundit është, dhe patjetër duhet të mbetet, i njëjtë për të gjithë.

Sipas këndvështrimit italian, ne duhet të marrim në konsideratë se përveç nevojës tradicionale për të stabilizuar rajonin e Ballkanit njëherë e përgjithmonë dhe për të garantuar sigurinë e Evropës, globalizimi po ashtu sugjeron një mënyrë më dinamike gjatë trajtimit të procesit të zgjerimit të BE-së dhe marrëdhënieve mes Evropës dhe Ballkanit. Mirëpritja e vendeve të Ballkanit dhe Turqisë në familjen evropiane është një sfidë për ta trajtuar dhe fituar, nëse Bashkimi Evropian vërtet aspiron të luajë një rol më madh në skenën globale. Nëse synon të ushtrojë një ndikim më të madh në Kaukaz, në Azinë Qendrore, në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Mesdheut. Nëse dëshiron të rikthejë konkurrencën ekonomike dhe të garantojë sigurinë e saj të energjisë në mënyrë më efikase; nëse dëshiron të luajë një rol në përkufizimin e rendit multilateral që pasqyron dhe respekton identitet e larmishme kulturore dhe fetare.

Dhënia e një “perspektive evropiane” më konkrete Prishtinës: dialogu për viza dhe marrëveshjet tregtare – në këtë frymë, hapi i parë është t’i jepet një dinamizëm i ri “perspektivës evropiane” të rajonit në përpjekje për ta bërë atë më të prekshme dhe duke kultivuar të kuptuar më të qartë të ndikimit pozitiv që ajo mund të ketë mbi jetën e përditshme të njerëzve. Hyrja në Evropë duhet sërish të bëhet një synim joshës politik, një faktor që nxitë qeveritë e rajonit të jetësojnë një agjendë të reformave ambicioze. Ne kemi në mendje, për shembull, dinamikën pozitive të nxitur në vendet e rajonit nga mundësia për liberalizim të vizave. Një masë prej së cilës kanë përfituar së fundi Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, me Bosnjën dhe Shqipërinë që kanë shumë të ngjarë të gëzojnë përparësitë e saj deri në vjeshtë të këtij viti.

Liria e lëvizjes është një e drejtë legjitime dhe e kam plotësisht të qartë, si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, tashmë pas fillimit të procesit të liberalizimit të vizave në vendet e Ballkanit në vitin 2008, se sa shumë e aspirojnë qytetarët e Kosovës arritjen e këtij rezultati. Ndonëse për Prishtinën, shtegu që duhet ndjekur është akoma i gjatë dhe i vështirë, Komisioni Evropian po angazhohet shumë që të hapë “dialogun për viza” me vendin tuaj – një dialog i cili duhet të shpie tek liberalizimi i plotë i vizave pasi që të jenë jetësuar të gjitha reformat e kërkuara. Në këtë drejtim, nga një varg kushtesh të cilat Kosova duhet të përmbushë, vendi ka nevojë edhe të miratojë “legjislacionin për riatdhesim” dhe të përmirësojë kushtet për integrimin e “qytetarëve të kthyer të Kosovës.”

Një sektor tjetër ku Kosovës definitivisht mund t’i jepet më shumë “perspektivë evropiane” konkrete është ekonomia dhe tregtia. Italia është e mendimit se duhet bërë çdo përpjekje – edhe nga Prishtina – për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Po ashtu në këtë drejtim, po vazhdon puna përgatitore në nivel teknik dhe ne besojmë se mund të arrihet përparim i mjaftueshëm për t’i mundësuar Komisionit të kërkojë nga Këshilli një mandat të negociatave.

Sidoqoftë, Bashkimi Evropian duhet të kontribuojë në krijimin e kushteve për Kosovën që ajo të arrijë një ringjallje të vërtetë të ekonomisë, sidomos në kohërat e vështira të cilat po i përjetojmë sot. Këtu kam në mendje mundësinë për gjurmuar plotësisht të gjitha margjinat e intervenimit të ofruara nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Po ashtu po mendoj edhe për nevojën që autoritetet kosovare të shfrytëzojnë çdo mundësi për të siguruar një varg zhvillimesh socio-ekonomike duke shfrytëzuar deri në maksimum asistencën e konsiderueshme ndërkombëtare të kanalizuar drejt vendit tuaj. Rrita e qëndrueshme ekonomike për Kosovën po ashtu do të ushqehet edhe nga menaxhimi i matur i politikave fiskale në harmoni me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe nga jetësimi i reformave të rëndësishme në çështje që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe administratën publike.

Konferenca e Sarajevës: një test i pjekurisë evropiane dhe bashkëpunimit rajonal - Një hap tjetër të cilin mund të ndërmarrim për të shtyrë para “perspektivën evropiane” për Ballkanin, si rrjedhojë edhe për Kosovën, është të sigurohet se rajoni mbetet prioritet në agjendën e Bashkimit Evropian. Ky ishte thelbi i “planit tetë pikësh” që e propozova para një viti, një udhërrëfyes i cili në shkallë të madhe është jetësuar. Kjo është fryma me të cilën Italia ka avancuar propozimin, të pranuar nga Presidenca Spanjolle, që 10 vjet pas Samitit të Zagrebit, një takim i nivelit të lartë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbahet, me pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë kyçë për rajonin, siç janë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Turqia.

Kjo ngjarje është paraparë të mbahet me 2 qershor në Sarajevë dhe do të jetë një mundësi unike për t’u dhënë vendeve të rajonit një shtysë të re në përparimin e tyre drejt anëtarësisë së plotë të BE-së. Që Konferenca të jetë e suksesshme, të gjitha vendet e rajonit, e mbi të gjitha Beogradi dhe Prishtina, duhet patjetër të marrin pjesë dhe të tregojnë një qëndrim konstruktiv dhe fleksibil. Nga kjo perspektivë, Konferenca do të jetë një test i rëndësishëm i pjekurisë evropiane dhe bashkëpunimit rajonal. Një test i cili, siç e presim të gjithë, do të kalohet pozitivisht.

Një thirrje për një dialog mes Beogradit dhe Prishtinës: nevoja për të punuar për pajtime kombëtare dhe rajonale – duke u nisur nga këto arsye të cilat i dëshiroj, sot ua përsëris ftesën të cilën ua bëra edhe autoriteteve me të cilat u takova dje në Beograd, me qëllim të hapjes së një dialogu të frytshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Ne na duhet të bëjmë çmos të kultivojmë pajtim të mirëfilltë kombëtar dhe rajonal. Prishtina dhe Beogradi duhet patjetër të gjejnë një kanal për komunikim konstruktiv.

Kultivimi i këtij dialogu është i rëndësisë jetike. Mbi të gjitha, për të parandaluar zhvlerësimin e mekanizmave rajonalë të bashkëpunimit. Mekanizmat e tillë janë dhe mbesin një dimension kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjitha vendeve të rajonit dhe për shtegtimin e tyre drejt integrimit evropian. Dhe së dyti, për të përmirësuar gjendjen në Kosovën veriore, ku na duhet të gjejmë zgjidhje pragmatike për problemet konkrete, siç janë administrimi i drejtësisë dhe funksionimi i sistemit doganor. Ekziston një nevojë urgjente për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe sociale të komuniteteve, cilësinë e jetës së njerëzve të rëndomtë që jetojnë në atë pjesë të Kosovës. Në këtë kontekst, siç e dini, ambasadori italian në Prishtinë, po punon si lehtësues i BE-së, për të forcuar dhe promovuar pikëpamjet dhe vlerat e BE-së, përfshirë edhe fushat ku dialogu dhe ndërmjetësimi në nivel të komunitetit është i nevojshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Italia është në ballë të përpjekjeve për ngritje të institucioneve të Kosovës dhe për konsolidimin ndërkombëtar si vend i pavarur. Përkushtimi ynë në misionet ndërkombëtare në Kosovë përherë ka qenë i konsiderueshëm, si në kuptimin kuantitativ ashtu edhe në atë kualitativ. Sot, ne ende radhitemi si një nga kontribuesit kryesorë në EULEX, misionin evropian në fushën e “sundimit të ligjit” (me mbi 200 zyrtarë), në KFOR, misionin e Aleancës Atlantike (me 1400 personel) dhe në trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (KSF). Në lidhje me KFOR-in, dua të theksoj se vendimi për të rikonfiguruar misionin nuk nënkupton zbehje të angazhimit të NATO-s në Kosovë. Përkundrazi, Italia është e bindur se Aleanca Atlantike do të vazhdojë, ndonëse në një mënyrë më fleksibile, të operojë si një pikë reference kyçe dhe jetike për sigurinë e mbarë rajonit.

Sërish në kontekst të misionit të KFOR-it, dua veçanërisht t’ua kujtoj përpjekjet e kamotshme të Italisë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare të vendit tuaj. Një përkushtim që e gjen shprehjen e tij më të lartë në mbrojtjen dhe mbështetjen e objekteve fetare të Kishës Ortodokse Serbe. Në këtë drejtim, Italia do të vazhdojë të nxisë të gjitha palët e kyçura për të siguruar se kjo trashëgimi e çmuar artistike dhe shpirtërore të shfrytëzohet si burim i dialogut e pajtimit e jo ndarjes e konfrontimit, me konsideratë të plotë për dallimet legjitime në traditat fetare dhe kulturore. Ne na duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm se siguria dhe zhvillimi i Kosovës dhe Ballkanit po ashtu varen edhe nga mbrojtja e bashkëjetesës shumetnike dhe respektit për të drejtat njerëzore fundamentale të të gjithëve, duke filluar me të drejtën për lirinë fetare. Andaj, ne na duhet të vazhdojmë të ndërtojmë një koncept të paqes të bazuar jo vetëm në sigurinë ushtarake, por po ashtu edhe në drejtësi dhe pajtim të mirëfilltë kombëtar dhe rajonal. Edhe Kosova është atdhe i gjithë qytetarëve të saj. Në ndjekje të këtij qëllimi, autoritetet dhe populli i Kosovës përherë mund të llogarisin në bashkëpunim dhe miqësinë e Italisë.