Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

, 05.05.2010




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2009.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava. Gjatë debatit, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe dilemash, duke konsideruar se nuk janë të përfshira në raport në mënyrë të detajuar. Interesimit që shfaqën anëtarët e komisionit për: operimet ilegale të minierave të guroreve( gurëthyeseve, 83 sosh), shkaqet e lëndimeve ( 79 raste) dhe avarive të ndryshme në miniera, kriteret për licencat e hulumtimit dhe shfrytëzimit të minierave, statusi i Minierës së Drazhnjes, dhe çështjeve tjera të ngritura në takim iu përgjigj kryetari i KPMM-së, Ahmet Tmava.

Drejtori i KPMM-së tha se raporti i është ofruar me kohë komisionit, ashtu siç është e paraparë me ligj. ”Jemi përpjekur që të ofrojmë pasqyrë të qartë të KPMM-së, duke përshkruar në mënyrë korrekte, me të dhëna të sakta punën që është bërë gjatë vitit 2009”, tha Tmava. Në vazhdim të diskutimit të tij ai premtoi se, brenda gjashtë muajve KPMM-ja do të mënjanojë shumë nga lëshimet e deritashme, duke ua përkujtuar anëtarëve të komisionit se KPMM-ja është e kompletuar me staf vetëm para pak kohe. Më tej ai shtoi se sukseset e KPMM-së janë evidente, por që duhet përpjekje edhe më e madhe për të arritur suksese edhe më të mëdha. Mos miratimi i ligjit për Miniera dhe Minerale, është hendikep i madh për punën e KPMM-së, ndërkaq, suksesi ynë ndërlidhet edhe me faktorë tjerë, siç janë: Ministria e Ambientit dhe Planifikimt Hapësinor dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të ndihmuar implementimin e vendimeve në lidhje me operatorët ilegal të guroreve, theksoi Tmava. Ndonëse kryetari i KPMM-së, iu përgjigj të gjitha pyetjeve që bënë anëtarët e komisionit, ata kërkuan që ato të sillen në formë të shkruar, për tu shqyrtuar në mbledhjen e radhës.
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...