Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, z. Hasim Kiliç

, 06.05.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, z. Hasim Kiliç, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. Kryekuvendari Krasniqi pasi i uroi mirëseardhje z. Hasim Kiliç, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin që po zhvillohet ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Turqisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në këtë frymë, ai tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si institucion i ri, ka çka të mësojë nga përvoja e pasur e gjykatës homologe turke, pasi ”jemi shtet i ri dhe jemi duke ndërtuar institucione të pavarura e demokratike” , theksoi kryekuvendari Krasniqi. Në vijim z. Krasniqi foli për bashkëpunimin shumë të mirë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës dhe posaçërisht ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve. Ndërkaq, duke folur rreth punës së Kuvendit të Kosovës në fushën e legjislacionit, theksoi se Kuvendi i Kosovës tashmë ka aprovuar mbi 300 ligje, por atë e presin edhe shumë ligje të tjera për t’ u aprovuar. Në kuadrin e gjithëmbarshëm të bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, bashkëpunim mjaft të frytshëm po zhvillojnë edhe gjykatat kushtetuese, tha kryekuvendari Krasniqi.

Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për vizitën në Kosovë dhe për pritjen e ngrohtë që iu bë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, z. Hasim Kiliç, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të shtrihet dhe të thellohet edhe ndërmjet dy gjykatave kushtetuese, duke theksuar se roli i gjykatave është me rëndësi të veçantë në shoqëritë demokratike. Në vazhdim kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, e informoi kryetarin Krasniqi se tashmë është promovuar salla e Gjykatës , e cila është investim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë. Ai tha se ndërmjet dy gjykatave zhvillohet një bashkëpunim mjaft i thelluar dhe i sinqertë. Dy gjykatat kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, z. Hasim Kiliç