Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti senatorin italian Marco Perduca

, 08.05.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me senatorin italian, Marco Perduca. Me këtë rast senatori Perduca falënderoi kryekuvendarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që iu bë. Në vijim ai i informoi kryekuvendarin Krasniqi se ai është anëtar i Partisë Radikale transnacionale, e cila vazhdimisht mbështet Kosovën në sfidat e saj. Në këtë vështrim ai vlerësoi lart edhe punën e Qeverisë së Italisë që bën për të reflektuar në njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete të botës, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës, që është një realitet i pakthyeshëm, theksoi ai, është e rëndësishme edhe për Italinë. Z. Perduca u angazhua për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërsa në këtë frymë shprehu gatishmërinë për formimin e Grupit të Miqësisë në mes deputetëve të Kosovës dhe të Italisë.

Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi Z. Perduca për këtë vizitë në Kosovë, duke shprehur njëherësh mirënjohje për kontributin e senatorit dhe të partisë së tij në mbështetje të Kosovës, si dhe institucionet e Italisë dhe mbarë popullin italian. Kur është fjala për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës ,z. Krasniqi theksoi së tashmë Kosovën e kanë njohur 67 shtete-anëtare të OKB-së, ndërsa në këto procese Kosova ka mbështetje të fuqishme nga Italia mike. Ndërkaq, mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete të BE-së po ndikon negativisht në procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e Shëngenit.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim pozitës së minoriteteve në Kosovë, duke theksuar se së të gjitha minoritetet janë të përfshira në institucionet e Kosovës, pos minoritetit serb, i cili ende nuk po integrohet në jetën institucionale dhe përgjithësisht në shoqërinë kosovare ashtu si duhet, ndërsa si shkak për këtë është politika e Serbisë. Kryekuvendari Krasniqi foli edhe për mosfunksionimin e duhur të ligjit në veri të Kosovës, që si pasojë, pos tjerash, sjell dukuri negative , siç është kontrabandimi i mallrave nga ana e Serbisë, që i sjell shumë dëme buxhetit të Kosovës.

Pasi përshëndeti gatishmërinë e z. Perduca për formimin e grupit të miqësisë Itali-Kosovë, kryekuvendari Krasniqi tha:”Ne si shtet i ri aspirojmë të jemi në një të ardhme të shpejtë anëtar i Bashkimit Evropian”.

Kosova deri tash ka arritur të krijojë të gjitha institucionet shtetërore, ndërsa shënon të arritura edhe në fushën e legjislacionit, që dëshmohet nga e dhëna se deri tash Kuvendi i Kosovës ka aprovuar mbi 300 ligje të standardeve evropiane, tha kryekuvendari Krasniqi.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti senatorin italian Marco PerducaKryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti senatorin italian Marco Perduca