Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës

, 14.05.2010




Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Berim Ramosaj, kryetar i komisionit, gjatë ditës së sotme pritën delegacionin nga Komanda e Bashkuar e NATO-s.

Duke i përshëndetur mysafirët dhe duke i falenderuar për vizitën që ata i bënë këtij komsioni, Ramosaj, ka shpalosur të arriturat e Komisionit, sfidat nëpër të cilat ka kaluar ky Komision, si dhe angazhimet e mëtejme.

Temë diskutimi i këtij takimi ishte çështja që ka të bëjë me hartimin e infrastrukturës ligjore rreth dislokimit të FSK-së jashtë vendit, qoftë për raste emergjente apo ruajtje të paqes, duke pasur parasysh edhe rëndësinë e bashkëpunimit me këtë Departament të një institucioni siç është EUCOM.

Po ashtu u diskutua edhe çështja e ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, përkatësisht hapat që duhen ndërmarrë hartuesit e ligjeve, për pesë vjetët e ardhshëm, në mënyrë që Forca e Sigurisë të zhvillohet krahas standardeve euroatlantike.

Ramosaj theksoi se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të veçanta, duke shtuar se mirëpresin bashkëpunimin dhe ndihmën e këtij delegacioni dhe se FSK-ja duhet të përfitojë përvoja nga NATO-ja. Anëtarët e Komisionit theksuan se Forcën e Sigurisë së Kosovës e shohin si një aleate të fuqishme të NATO-s, dhe se FSK-ja duhet të zhvillohet krahas standardeve euroatlantike.

Në vazhdim të mbledhjes së këtij komisioni, u diskutuan pikat tjera të rendit të ditës si shqyrtimi i raportit të vizitës studimore në Shqipëri. Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe projekt-propozimin me Qendrën Kosovare për studime të sigurisë, me ç‘rast u dakorduan që të zhvillojnë një takim të përbashkët me ta.

Ndërsa sa i përket caktimit të delegacionit nga Komisioni për pjesëmarrje në Asemblenë parlamentare të NATO-s, u vendos që ky delegacion të caktohet në kordinim mes kryetarit të komisionit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës