Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 14.05.2010




Reformimi i sistemit të drejtësisë në Kosovës është domosdoshmëri dhe paraqet nevojë akute për vendin. Sistemi aktual i drejtësisë është jofunksional dhe kjo shtron nevojën e fillimit të procesit të reformave, i cili do t’iu jepte zgjidhje problemeve me të cilat përballet sot gjyqësori dhe qytetarët e Kosovës.

Ky ka qenë konkluzioni kryesor i nxjerrë në përfundim të dëgjimit të sotëm publik, që Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi në bashkëpunim e NDI-në, e organizoi në Kuvendin e Kosovës rreth Projektligjit për Gjykatat.

Në praninë e anëtarëve të Komisionit dhe të ftuarve të tjerë, ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, prezantoi në pika të shkurtra projektligjin dhe foli për rëndësinë e tij. Ai theksoi se ky projektligj garanton disa prej parimeve kryesore të gjyqësisë moderne, ndërsa përmendi, ndër të tjera, shtrirjen unike në tërë territorin e Kosovës dhe garantimin e një reforme të sistemit gjyqësor në vend. Njëkohësisht, ai potencoi edhe disa vërejte për nene të caktuara, për të cilat tha se duhet të kihen parasysh gjatë amendamentimit të projektligjit.

Folësit e tjerë gjatë këtij dëgjimi publik: përfaqësuesit e Gjykatës Supreme të Kosovës, të Shoqatës të Prokurorëve, të Shoqatës së Gjykatësve të Kosovës, të Institutit Gjyqësor të Kosovës, potencuan domosdoshmërinë e miratimit të këtij projektligji, si parakusht për reformim dhe përmirësim të sistemit të drejtësisë, por veçuan edhe një varg lëshimesh, që, sipas tyre, i ka ky projektligj dhe që duhet të përmirësohen. Ata përmendën kompetencat e Gjykatës Supreme, për të cilat thanë se janë të ngatërruara, raportet ndërmjet departamenteve, çështjen e gjyqtarëve porotë, pagat në gjyqësi, kualifikimin dhe përvojën e gjykatësve etj.

Kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, theksoi se jofunksionaliteti dhe vjetërsia e sistemit aktual të drejtësisë, pakënaqësitë e qytetarëve me këtë sistem, grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura (u tha se janë më shumë se 200 mijë të tilla), e të tjera, e bëjnë imediate miratimin e këtij ligji dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Hyseni tha se në këtë projektligj është punuar me vite të tëra dhe për të ekziston konsensus i plotë. Ai theksoi se ky projektligj sanksionon aplikim unik të legjislacionit, ndërsa potencoi vullnetin e mirë për rritjen e pagave, por edhe veçoi disa prej mangësive që e karakterizojnë projektligjin dhe të cilat do të evitohen përmes amendamenteve.

Anëtarët e tjerë të Komisionit shtruan pyetje në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq shfaqën drojën rreth mosefikasitetit të mundshëm të sistemit të ri që parasheh ligji dhe potencuan pasojat e mundshme të tij. Ministri Haki Demolli theksoi se Projektligji për Gjykatat është reflektim i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, dhe si i tillë do të bëjë shumë më funksional sistemin e drejtësisë në krahasim me këtë aktual, për të cilin u tha se i përket periudhës së komunizmit.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi