Lajmet e fundit

Seancë Solemne e Kuvendit të të Rinjve të Republikës së Kosovës

, 21.05.2010




Me rastin e njëvjetorit të themelimit, Kuvendi i të Rinjve të Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një seancë solemne, në të cilën, përveç anëtarëve të këtij Kuvendi, ishin të pranishëm edhe udhëheqës të institucioneve të larta shtetërore, deputetë dhe mysafirë të shumtë.

Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Avdullah Hasani, duke bërë një rezyme të punës njëvjeçare organit që ai udhëheq, tha se gjatë këtij viti të funksionimit të tij, Kuvendi i të Rinjve ka zhvilluar 14 seanca plenare, në të cilat ka trajtuar problemet e të rinjve të Kosovës duke i adresuar në institucionet përkatëse. Hasani tha se Kuvendi ka qenë edhe pjesë e shumë komisioneve ministrore, si në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, ndërsa është në bisedime me Ministrinë e Punëve të Brendshme për krijimin e një Këshilli të Sigurisë në shkolla.

“Aktivitetet e Kuvendit të të Rinjve janë të fokusuara në problemet shkollore e universitare. Projekti i parë i Parlamentit ka qenë themelimi i Komitetit për Zhdukjen e delikuencës së të miturve. Në muajin shtator, Parlamenti ka zhvilluar debate nëpër shkolla dhe është njoftuar për së afërmi me punën dhe aktivitetet e të rinjve, por edhe problemet e tyre”, theksoi Hasani. Ai gjithashtu bëri të ditur se Kuvendi iu ka ofruar mundësinë artistëve dhe letrarëve të rinj që të botojnë libra dhe t’i ekzpozojnë pikturat e tyre jashtë vendit. Kreu i të rinjve të Kosovës veçoi edhe themelimin e asambleve komunale rinore në kuadër të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës.

Ndërkaq, duke folur për aktivitetet ndërkombëtare të këtij Kuvendi, potencoi marrjen e pëlqimit për të qenë pjesë e Organizatës Botërore të Rinisë, ndërsa bëri të ditur gjithashtu se të rinjtë e Republikës së Kosovës përfaqësohen edhe në Parlamentin Rinor Evropian.

Duke përcjell përshëndetjet e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqit, dhe të kryesisë së Kuvendit, anëtari i saj, Ibrahim Gashi, tha se secili do t’u gëzohet sukseseve të Kuvendit të të Rinjve dhe faktit se më në fund edhe Kosova po kultivon kulturë dhe punë parlamentare edhe në moshat më të reja.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se ekzekutivi i vendit çdo herë do të përkrah iniciativat e të rinjve, të cilat kanë për qëllim kanalizimin e energjive për të mirën e vendit. Ai tha se jo vetëm e ardhmja, por edhe e sotmja i takon rinisë së Kosovës, e cila me energjitë e saj do t’i ndihmojë vendit.

Kryetari i grupit për komunitete joshqiptare në Kuvendin e të Rinjve, Osman Baliq, tha se puna dhe angazhimi i këtij Kuvendi në trajtimin e problemeve rinore është e madhe dhe e suksesshme, sado që ky ai përballet me probleme financiare.

Në fund, kryeparlamentari i të rinjve, Avdullah Hasani, për kontributin e tyre në punën dhe funksionalizimin e këtij Kuvendi, iu ndau mirënjohje: këshilltarit të kryeparlamentarit Krasniqi, Eshref Vishit, shefit të Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, Sherif Konjufcës, Ekrem Smajlit dhe anëtarit të Kuvendit të të Rinjve, Alban Durmishit.
Seancë Solemne e Kuvendit të të Rinjve të Republikës së Kosovës