Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 28.05.2010




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, për herë të parë u shqyrtua Projektligji për Ripranim të cilin e prezantoni ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ministri Rexhepi tha se ky projektligj është një ndër kriteret kryesore që kërkohet për të arritë progres në procesin e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian. Projektligji ka për qëllim që të përcaktoj rregullat dhe procedurat për ripranimin e personit i cili është shtetas i Republikës së Kosovës ose i huaj, i cili nuk përmbush ose nuk përmbush më, kushtet në fuqi për hyrje apo qëndrim në territorin e shtetit kërkues”, tha Rexhepi duke theksuar se Projektligji për Ripranim nuk do të ketë efekte shtesë të drejtpërdrejta buxhetore në Buxhetin e Kosovës.

Deputetë të Kuvendit gjatë debatit të tyre vlerësuan se miratimi i Projektligjit për Ripranim është më së i nevojshëm, dhe se duhet të shpejtohen procedurat për miratimin e tij, meqë Projektligji për Ripranim është parakusht për liberalizimin e vizave dhe sfidë kryesore në Raportit të Progresit.

Projektligji për Ripranim morri mbështetje të plotë nga deputetë të Kuvendit, të cilët e përkrahën atë në parim, megjithatë nuk munguan as vërejtjet nga ana e tyre, veçanërisht rreth emërtimit të projektligjit dhe të mosqartësimit të kostos buxhetore.

Në shqyrtim të parë u miratua në parim edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, të cilin e prezantoi Ministri i Tregëtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku. Ministri Zharku gjatë prezantimit të këtij Projektligji tha se arsyeja për ndryshimin e projektligjit është përmbushja e objektivave të Qeverisë së Kosovës në lehtësimin e procedurave në fushën e regjistrimit dhe fillimit të punës së bizneseve. “Ndryshimet dhe plotësimet në këtë projektligj u janë përshtatur legjislacioneve të avancuara sa i përket shoqërive tregtare”, theksoi Zharku.

Ai vlerësoi se janë hequr të gjitha taksat për regjistrim të biznesit përkundër faktit që taksat janë më të ulëta në rajon. “Janë shpejtuar dhe thjeshtësuar procedurat e regjistrimit të biznesit. Është hequr edhe deponimi i kapitalit fillestar. Ndryshimi dhe plotësimi i këtij projektligji dhe rregullimi juridik i tij e ka efektin e tij edhe në besueshmërinë e qyteterarëve dhe mbështjetjen e fuqishme të bizneseve, si dhe lehtësimin për investitorët e brendshëm apo të jashtëm, për të ushtruar biznes në Kosovë. Me këto ndryshime do të zvogëlohen procedurat e nevojshme për fillimin e biznesit”, tha gjatë prezantimit të projektligjit, ministri Zharku.

Deputetë vlerësuan se këto ndryshime kanë qenë të nevojshme në mënyrë që të arrihet një pozitë më e përshtatshme për biznes dhe një organizim më i mirë në këtë fushë. Heqja e taksës nga ana e deputetëve të Kuvendit është vlerësuar si një hap pozitiv, megjithatë u kërkua që të hjeken edhe taksa të shërbimeve tjera, për arsye të stimulimit dhe zhvillimit të biznesit.

Deputetët duke paraqituar disa nga vërejtjet dhe shqetësimet që janë të përfshira në këtë projektligj kërkuan të ndryshohen paqartësitë nëpër komisionet funksionale, duke dhënë shembuj të ndryshëm.

Në vijim të seancës u shqyrtua Projektligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, të cilin e prezantoi ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Shala sqaroi se bashkëhartues të këtij Projektligji ka qenë Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Banka Qendrore e Kosovës, me asistencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Nevoja për të përforcuar këtë institucion dhe nevoja për të përparuar në legjislacionin e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit ka bërë që ky ligj të harmonizohet me Bankën Qendrore të Unionit Evropian dhe është në harmoni të plotë me traktatin e Komisionit Evropian dhe statutin e sistemit evropian të bankave qendrore. Qëllimi parësor i hartimit të këtij projekltigji është përfshirja e të gjitha elementeve të nevojshme të legjislacionit modern rreth funksionimit dhe organizimit të institucionit të Bankes Qendrore”, tha ministri Shala, duke shtuar se ky ligj do të ndikojë në forcimin e institucionit në fjalë dhe se me me këtë ligj për herë të parë do të rregullohen çështjet që nuk kanë qenë të rregulluara me ligjin paraprak, për të cilat ministri Shala para deputetëve dha sqarime të njëpasnjëshme.

As ky projektligj nuk kaloi pa kritika të shumta nga ana e deputetëve të Kuvendit të cilët theksuan se ky projektligj nuk i ka përmbushur të gjitha pritjet e tyre sa i përket kompletimit që duhet t’i ketë banka shtetërore. Duke përmendur disa nga lëshimet që janë hasë në këtë projektligj pas një debati të gjerë, deputetë të Kuvendit të Kosovës e miratuan në parim Projektligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, me ç‘rast Kuvendi ka ngarkuar komisionet përkatëse që brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë ta paraqesin raportin me rekomandime.

Në vijim të seancës u shqyrtua edhe Projektligji për mbrojtjen e natyrës, të cilin e prezantoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, mirëpo, në mungesë të kuorumit nuk pati votime.

Po ashtu, deputetët u njoftuan edhe lidhur me propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare të Kuvendit.

Pikat tjera të rendit të ditës kanë mbetur të shqyrtohen ditën e hënë, në orën 10:00.
Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës