Lajmet e fundit

Tryezë për fuqizimin e rolit të gruas në proceset e vendimmarrjes

, 09.06.2010




Me organizim të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Grupit Joformal të Grave deputete të Kuvendit të Kosovës, është mbajtur sot në Prishtinë tryeza ”Fuqizimi i Rolit të Gruas në Proceset e Vendimmarrjes”, në të cilën është diskutuar rreth mundësisë së forcimit të rolit të gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje.

Deputete e deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuese të qeverisë, të partive politike e shoqërisë civile, mekanizmave të tjerë vendorë e ndërkombëtarë, kanë shfaqur mendimet e tyre rreth rolit që ka sot gruaja e Kosovës në skenën politike të Kosovës dhe përgjithësisht në shoqëri.

Përfaqësuesja e NDI-së në këtë tryezë, Lura Nichols, përgëzoi Grupin Joformal të Grave Deputete për vullnetin dhe iniciativat që kanë ndërmarrë për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Ajo tha më tej se barazia gjinore nuk është çështje vetëm e Kosovës, për fatkeqësisht është çështje globale. Sipas saj, entitetet që mund të luajnë rol kyç në këtë drejtim, janë: partitë politikë, qeveria, parlamenti, shoqëria civile, mediat etj.

Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Michael Murphy, tha se pjesëmarrja e gruas në proceset politike në Kosovë është kritike. Duke përshëndetur Grupin Joformal të Grave Deputete, ai tha se qasja jopartiake për shumë çështje iu jep atyre mundësi të mëdha. Murphy tha se kur gratë janë të lira për të votuar, qeveritë janë më përgjegjëse, ndërsa kur gratë kanë të drejta të barabarta, kombet janë më të qëndrueshme. Ai tha se duhet të ketë qasje të barabartë në edukim.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm organizimin e kësaj tryeze, në funksion të fuqizimit të rolit të gruas në jetën politike, theksoi se përkundër të arriturave në sensibilizimin e opinionit rreth kësaj çështjeje, mund të bëhet ende në këtë drejtim. Tërmkolli potencoi dy sfida të gruas së Kosovës aktualisht: atë në rrafshin institucional-shtetëror dhe në rrafshin e partive politike e të shoqërisë civile.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lirie Abdurrahmani, tha se përmirësimi i pozitës së gruas do të thotë përmirësim edhe i vetë shoqërisë. Ajo theksoi se duhet ndërmarrë iniciativa konkrete për të lëvizur më fuqishëm në këtë drejtim.

Panelistja tjetër e kësaj tryeze, Teuta Sahatqija, ish-kryetare e partisë ORA, aktualisht këshilltare e presidentit të Kosovës, duke elaboruar rreth gjetjes së mënyrave për forcimin e rolit të gruas, potencoi se kuota e 30 përqindëshit për gratë në parlament, është shumë e rëndësishme, përderisa fuqizimi i gruas brenda partive politike ndihmon forcimin e saj në të gjitha institucionet. Në këtë drejtim u angazhua edhe eksperti ligjor i NDI-së, Bardhyl Hasanpapaj, i cili tha se duhet forcuar roli i gruas në tregun e politikës, përderisa pjesëmarrja e saj në vendimmarrje është luftë e vazhdueshme.

Në fjalët e diskutuesve të tjerë, u potencua, siç u tha, kriza në lidershipin e grave. Si shqetësim tjetër u ngrit fakti se gratë po shkojnë prapa proceseve, ndërsa nuk po iu prijnë atyre. Ishte pikë referuese e të gjithë diskutuesve që të bëhet implementimi i mekanizmave që kanë të bëjnë me gruan dhe barazinë gjinore, si dhe fuqizimi i tyre, duke përmendur në këtë rast Ligjin për Barazinë Gjinore, Programin për Barazinë Gjinore dhe shumë ligje të tjera. U tha se çelës për përmirësimin e pozitës së gruas mbetet përmirësimi i statusit social dhe ekonomik të saj në familje dhe shoqëri. Kryetarja e Grupit Joformal të Grave Deputete, Flora Brovina, theksoi se gruaja po tregon vullnet për të qenë pjesë e politikëbërjes, ndërsa sfidë mbetet punësimi i saj, që do të thotë se baza materiale përcakton edhe fuqinë e gruas.

Ajo tha se fuqizimi i rolit të gruas nëpër parti politike është parakusht për fuqizimin në institucione dhe vendimmarrje.

Në fund, nga tryeza dolën disa rekomandime, në të cilat kërkohet zbatimi i Ligjit për barazi gjinore dhe monitorimi i zbatimit të tij, përfshirë nxjerrjen e akteve nënligjore, fuqizimi i grave nëpër parti politike dhe ndarja e buxheteve të veçanta, nxjerrja e Ligjit për partitë politike, ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet me kërkesën për votim 1+5, krijimi i kushteve të barabarta që kuota të ngritet në nivel të konkurrencës, mbështetja dhe krijimi i hapësirës më të madhe mediale për gratë etj.
Tryezë për fuqizimin e rolit të gruas në proceset e vendimmarrjes