Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

, 22.06.2010




Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Fatmir Xhelili, në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, informoi mbi gjendjen,masat dhe veprimet kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë.

Duke iu referuar të arriturave në këtë ministri, veçanërisht implementimit të strategjisë në lidhje me këtë fushë, zëvendësministri Xhelili fillimisht tha:” duke iu referuar Raportit të Stejtdepartamentit të Shtetit Amerikan, ku Kosova renditet në vendin e dytë për veprimet kundër trafikimit me qenie njerëzore, mundë të themi se sukseset e kësaj ministrie janë evidente”. Duke dhënë informatë statistikore për veprimet e Policisë së Kosovës (PK) për luftimin e kësaj dukurie në vazhdim ai informoi se, gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, janë kontrolluar 335 lokale të dyshimta nga të cilat 36 nga to janë mbyllur. Ndërkaq, duke iu referuar statistikave të PK-së mbi trafikimin e qenieve njerëzore zëvendësministri, Xhelili tha:” në vitin 2008 janë evidentuar 28 raste, në v.2009, 22 dhe në vitin 2010 15 raste”. Po ashtu, zëvendësministri dha një pasqyrë edhe mbi dukurin e lypsarëve që në Kosovë viteve të fundit është mjaftë e shprehur. Në lidhje me këtë ai u shprehë se, numri i tyre është jo i vogël, dhe ç’është edhe më shqetësuese ata janë edhe të mitur. Në vazhdim ai tha se numri më i madh i tyre është konstatuar se vijnë nga Republika e Shqipërisë, dhe për këtë jemi duke biseduar në nivel të ministrive përkatëse, u shpreh Xhelili. Në vazhdim, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh, ku ndër më të rëndësishmet sipas tyre ishte Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan, duke e vlerësuar atë si jo të favorshëm për Kosovën.

Zëvendësministri, pasi që i informoi anëtarët e komisionit me parametrat që merren në kategorizimin e shteteve në këto raste, ku Kosova rangohet në mesin e shteteve të zhvilluara si, Zvicra, Turqia etj. tha se, raporti është real dhe i favorshëm, duke potencuar se ka edhe gjëra të pasakta me të cilat nuk pajtohet MPB-ja. Me këtë rast ai tha:” Kosova nuk është burim i trafikimit me qenie njerëzore ”, duke shtuar se, edhe numri i lypsarëve është i paraqitur jo realisht.

Në fund, zëvendësministri Xhelili i njoftoi anëtarët e komisionit për Strategjinë e Re kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke theksuar se, model i luftës kundër kësaj dukurie do të merret Anglia, Norvegjia dhe Suedia.

Në fund të mbledhjes, kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Fatmir Rexhepi, falënderoi zëvendësministrin, duke e siguruar atë se komisioni që ai drejton do të bashkëpunojë ngushtë me MPB-në.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...