Lajmet e fundit

Nga tryeza “Zyrat e deputetëve: Mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve”.

, 25.06.2010




Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), kanë organizuar tryezën e rrumbullakët me titull “Zyrat e deputetëve: Mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve”. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetët kanë diskutuar për mundësitë për përmirësimin e komunikimit ndërmjet deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, si dhe si të vendoset komunikim institucional ndërmjet deputetëve dhe institucioneve komunale, përkatësisht komunave nga vijnë deputetët. Panelistë në këtë tryezë ishin: Bajrush Xhemajli, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Gjylnaze Syla, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe z. Gerry Scot, ekspert nga NDI.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së ka prezantuar të gjeturat kryesore të punimit diskutues që ka bërë KDI në lidhje me zyrat e deputetëve, si dhe ka treguar për hapat e mëtutjeshëm që kjo organizatë do të ndërmarrë për të avokuar që të gjeturat e dala nga ky punim dhe nga kjo tryezë të gjejnë zbatim nga Kuvendi i Kosovës. Laura Nichols, drejtoreshë e NDI-së ka folur për iniciativat që ka pas deri më tani NDI-ja në aspekt të rritjes së komunikimit ndërmjet deputetëve dhe qytetarëve. Ajo po ashtu ka shprehur gatishmërinë e NDI-së që edhe në të ardhmen, nëse është e nevojshme, të vazhdojë të përkrahë në këtë fushë.

Bajrush Xhemajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka theksuar përvojën e tij paraprake që e kishte si deputet dhe vështirësitë që ka pasur ai në atë kohë për të pasur një zyrë të deputetëve. Ai po ashtu tha që tani u ka mundësuar deputetëve të Komunës së Ferizajt që të kenë një zyrë në kuadër të ndërtesës së Kuvendit komunal, e cila, siç pohuar është duke u shfrytëzuar fare pak nga deputetët. Në cilësinë e Kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ai ka premtuar se do të angazhohet që të gjithë kryetarët e komunave të ofrojnë nga një zyrë për deputetët nga komunat e tyre.

Deputetja Gjylnaze Syla, ka prezantuar punën që ka bërë ajo gjatë kohës kur ka pasur një zyre për komunikim me qytetarë në Komunën e Pejës, si dhe në zyrën në Prishtinë që për një kohë ishte përkrahur nga NDI. Sipas saj, gjatë kësaj kohe përveç që ka pasur mundësinë që për nga afër të njihej me problemet e qytetarëve ajo ka arritur që të zgjidh një mori problemesh të qytetarëve, qofshin ato individuale apo grupore. Sistemi zgjedhore aktual dhe mungesa e përkrahjes institucionale ishin problemet kryesore që u identifikuan nga ajo.

Gerry Scott, ekspert nga NDI-a, solli përvojën e tij me zyra të deputetëve nga vende të ndryshme të botës. Sipas tij, edhe pse është e rëndësishme që këto zyre të kenë staf adekuat, prapë se prapë për disa gjëra është më se e domosdoshme që të ketë komunikim të drejtpërdrejtë në mes të deputetëve dhe qytetarëve. Ai po ashtu ka thënë që zyrat e deputetëve ndihmojnë qytetarinë aktive.

Pjesëmarrës tjerë në këtë tryezë ishin deputetë dhe përfaqësues nga shoqëria civile të cilët me kontributin e dhënë në diskutim, ndihmuan në pasurimin e konkluzioneve të kësaj tryeze.

Kjo tryezë është organizuar në kuadër të projektit “Mbikëqyrja e brendshme, pjesëmarrja e qytetarëve dhe llogaridhënia për të forcuar qeverisjen e mirë”, që përkrahet nga National Endowment for Democracy (NED), USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme (ISC) dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.
Nga tryeza  “Zyrat e deputetëve: Mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve”.