Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 08.07.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen e sotme (të mbajtur gjatë pauzës së seancës parlamentare) të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka tumirë kërkesën e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu që duke u mbështetur në Nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, përkitazi me fushëveprimtarinë e tij. Kryesia e caktuar datën 12 korrik për këtë paraqitje. Paraqitjen e tij të fundit në këtë cilësi (në Kuvend) presidenti Sejdiu e ka pasur më 9 korrik të vitit të kaluar.

Kryesia ka vendosur që në të njëjtën ditë të mbahet edhe një seancë tjetër, në të cilën do të shqyrtohen për herë të dytë : Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e normës së akcizës në Kosovë, Projektligji për Administratën tatimore dhe procedurat, Projektligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës