Lajmet e fundit

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

, 08.07.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme të kryesuar nga kryetari Jakup Krasniqi (një pjesë e seancës u udhëhoq nga anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi), ka miratuar gjashtë projektligje, dy raporte vjetore, si dhe tri propozim-vendime të Qeverisë së Kosovës.

Pas shterimit të pikës së diskutimeve jashtë rendit të ditës, në të cilën deputetët ngritën çështje dhe problematika të ndryshme, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat Lutfi Zharku dhe Mahir Yagcilar.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, në paraqitjet e tij para deputetëve dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, vlerësoi lart Rezolutën për Kosovën të miratuar nga Parlamenti Evropian, e cila, sipas kryeministrit, njeh të arriturat dhe realitetin në Kosovë, dhe gjithashtu, legjitimon pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi vlerësoi shumë pozitivisht edhe prezantimin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke potencuar se ky prezantim i dinjitetshëm shtetëror, ishte një sukses i përbashkët i të gjithëve dhe një afirmim i hapave të Qeverisë së Kosovës, për vënien e ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës. Në kuadër të kësaj, ai përmendi edhe hapjen e zyrës për Regjistrim Civil në veri të Mitrovicës, të cilën e konsideroi si hap të parë.

Ndërkaq, deputeti Slobodan Petroviq, kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të sulmit ndaj deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq. Ai falënderoi Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e tjera për mesazhet mbështetëse, ndërsa konfirmoi se përkrahje të tillë ka marrë edhe nga qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare.

Përkitazi me këtë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera e kanë dënuar këtë akt kriminal, ndërsa premtoi se do të bëhet gjithçka për ndriçimin e tij.

Në vijim të seancës, deputetët e Kuvendit miratuan në parim Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Kosovës, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë për Prokurorin e Shtetit.

Duke paraqitur këto tri ligje, ministri i Drejtësisë, Haki Demolli theksoi se ato vijnë në funksion të kompletimit të infrastrukturës ligjore për reformën në drejtësi, si imperativ i kohës.

Rreth Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Kosovës, ministri Demolli tha se ai synon krijimin e një gjyqësori të integruar dhe të paanshëm. Sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ai tha se paraqet njërën prej pjesëve të rëndësishme në rrafshin e kompletimit të infrastrukturës ligjore për gjyqësinë e Kosovës. Duke e cilësuar si të domosdoshëm Projektligjin për Prokurorin e Shtetit, ministri i Drejtësisë u shpreh se me këtë projektligj do të bëhet riorganizimi i sistemit prokurorial të Kosovës, i cili do të ndikojë në shtimin e efikasitetit.

Rreth këtyre projektligjeve u diskutua gjerësisht nga deputetët, të cilët dhanë mendime dhe sugjerime për riformulimin e neneve të caktuara gjatë amendamentimit.

Në vazhdim të seancës, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, Projekt-Kodin e drejtësisë për të mitur dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, me amendamente të komisioneve funksionale.

Gjithashtu, u miratuan edhe Raporti vjetor (për vitin 2009) i Rregullatorit për Ujëra e Mbeturina dhe ai për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës.

Në seancën e sotme, miratimin e Kuvendit e morën edhe tri propozim – vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës: ai për emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për emërimin e anëtarëve të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe ai për shpalljen zonë të veçantë ngastrën kadastrale “Lama e druve”, në Prishtinë.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës