Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi shpreh mirënjohjen për opinionin e GjND-së

, 22.07.2010




(Deklaratë për shtyp e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës)

Jam këtu që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës të shpreh mirënjohjen për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Shprehja nga Gjykata Ndërkombëtare se deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare rikonfirmon edhe njëherë se deklarata e datës 17 shkurt 2010 që shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ishte një akt i udhëheqësve të popullit që pasqyronin vullnetin e popullit të Kosovës dhe që i përgjigjej thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj.

Falënderojmë të gjitha shtetet që kanë përkrahur Republikës e Kosovës në të gjitha proceset politike dhe sidomos në kontributin e tyre pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shprehim mirënjohjen tonë dhe të të gjithë popullit të Republikës së Kosovës ndaj institucioneve ndërkombëtare, komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi dhe sidomos ndaj SHBA-ve, BE-së, dhe të gjitha shteteve në veçanti që kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Një mirënjohje e veçantë i shkon edhe vendeve te rajonit tonë që e kanë njohur Republikën e Kosovës duke i kontribuar stabilitetit dhe një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë për të gjithë popujt e këtij rajoni.

Shprehim gatishmërinë tonë të sinqertë për të vendosur marrëdhënie të mira me Republikën e Serbisë në të mirë të të dy popujve tanë dhe të stabilitetit dhe prosperitetit politik, social dhe ekonomik të rajonit tonë.

Fuqimisht i bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur akoma Republikën e Kosovës që ta njohin atë. duke shprehur bindjen që këto shtete do të gjejnë tek Republika e Kosovës një partner të sigurtë dhe të denjë të familjes së shteteve paqedashëse në Botë.

Republika e Kosovës edhe njëherë shpreh zotimin e saj të shprehur në deklaratën e pavarësisë për të qenë një shtet demokratik, laik dhe multietnik, i udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit, i cili do të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Shprehim bindjen tonë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe gatishmëria jonë për ta zbatuar atë përbën një bazë të shëndoshë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ritheksojmë edhe njëherë synimin tonë madhor për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë të Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian dhe për të zbatuar me shpejtësi reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik të shtetit dhe të popullit të Kosovës.