Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare e Kuvendit të Kosovës

, 26.07.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot, në vazhdimin e seancës së të enjtes, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë e seancës u udhëhoq nga anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti e Ibrahim Gashi), miratoi dy projektligje në lexim të dytë dhe disa raporte e rekomandime.

Fillimisht, deputetëve iu drejtua kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vlerësoi lart mendimin pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Kreu i qeverisë theksoi se ky mendim vulosi pavarësinë e Kosovës dhe e legjitimoi atë në tërë botën, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe duke treguar se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Thaçi theksoi se secili qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë dhe krenar me këtë të arritur, ndërsa garantoi se institucionet e shtetit të Kosovës do të respektojnë vazhdimisht të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri i Kosovës konkludoi se si rezultat i zhvillimeve të fundit, pavarësisë së mbikëqyrur suksesshëm i ka ardhur fundi. Ai bëri serish thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Thaçi foli edhe për vizitën e tij në SHBA, gjatë së cilës tha se është rikonfirmuar mbështetja e qeverisë amerikane për shtetin e Kosovës dhe për thellimin e bashkëpunimit e të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Në vazhdim të seancës, Kuvendi procedoi miratimin e dy projektligjeve me amendamente të komisioneve funksionale, atë për miniera dhe minerale, i cili mori mbështetjen e deputetëve, me përjashtim të dy amendamenteve, si dhe Projektligjin për Inspektoratin e Tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese, i cili u votua në tërësi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Raportin e punës së Avokatit të Popullit për vitin 2009, me ftesë të Kuvendit, e prezantoi vetë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili vlerësoi se ky raport paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Ai tha se miratimi kohë më parë i Ligjit për Avokatin e Popullit, është një sihariq i mirë, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë, miratimi i Kushtetutës është kumti më shpresëdhënës për të drejtat e njeriut në Kosovë. Kurteshi tha se marrja e obligimeve të njëanshme nga Kosova për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, siç është bërë me Kushtetutë, janë obligime shtesë dhe të rënda, por të dobishme. Ai tha se objekt kryesor në ankesat e qytetarëve të Kosovës drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit, vazhdon të mbetet gjyqësori. Kurteshi e cilësoi shumë brengosëse humbjen e besimit të qytetarëve në drejtësinë e Kosovës. Pas diskutimeve të gjera, deputetët e miratuan raportin, duke e vlerësuar lart atë.

Tutje, debatit iu nënshtruan raportet vjetore (për vitin 2009) të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe të Institutit Gjyqësor të Kosovës, të cilat u miratuan nga deputetët, me rekomandime të komisioneve funksionale.

Gjithashtu, u miratuan edhe Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Kompanisë së ujësjellësit rajonal ”Prishtina”, Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe Raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2009, me rekomandime të komisioneve përkatëse.

Deputetët, në vijim, shqyrtuan dhe miratuan Programin Kombëtar të Shkencës, me rekomandim të komisionit. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, tha se synim kryesor i këtij Programi është përmirësimi i cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi edhe rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me pasqyrat e audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale, për vitin 2009, si dhe propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në përbërje: Dino Asanaj, kryesues, Sllobodan Petroviç, Haxhi Arifi dhe Bahri Shabani, anëtarë.
Nga vazhdimi i seancës plenare e Kuvendit të Kosovës