Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mbajti konferencë për media

, 28.07.2010




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një konferencë për media lidhur me veprimtaritë e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror të vitit në vijim (janar-korrik 2010). Kryekuvendari Krasniqi në fillim theksoi se gjatë këtij sesioni Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar intensivisht aktivitetin ligjvënës në përmbushje të Strategjisë legjislative të Qeverisë dhe Programit të Punës së Kuvendit për vitin 2010. Nga 73 projektligje të parapara, janë parashtruar 50, janë miratuar 42, janë shpallur 38, kurse në ripunim janë kthyer 3, ndërsa në procedurë janë 36 projektligje. Janë mbajtur 32 dëgjime publike dhe tri debate në fusha të ndryshe. Në seancat e këtij sesioni pati 199 pyetje parlamentare, 7 mbikëqyrje parlamentare për zbatimin e ligjeve dhe 29 peticione e ankesa publike. Në vazhdim ai tha se në këtë periudhë raportuese janë mbajtur 25 mbledhje të Kryesisë, 22 mbledhje plenare dhe 273 mbledhje të komisioneve parlamentare.

Komisionet funksionale e kanë përfunduar shqyrtimin edhe të pesë projektligjeve. Komisionet parlamentare në cilësinë e komisionit funksional, gjatë periudhës janar-korrik 2010, kanë shqyrtuar 58 projektligje dhe 40 të tjera në cilësinë e komisionit të përhershëm, kanë përgatitur 46 raporte për punën e organeve të pavarura, kanë shqyrtuar 29 peticione dhe ankesa publike, kanë mbajtur 71 takime të grupeve punuese, kanë organizuar 15 vizita jashtë vendit dhe 15 të tjera brenda vendit.

Gjatë kësaj periudhe administrata e Kuvendit (personeli, shërbimi i financave, shërbimet teknike-administrative, mirëmbajtja, transporti) e ka vazhduar përmirësimin e shërbimeve për mbarëvajtjen e përgjithshme të punëve.

Kuvendin e Kosovës gjatë këtij sesioni kanë vazhduar ta mbështesin OSBE-ja (komisionet parlamentare dhe administratën, me pajisje teknike dhe vizita studimore), NDI (komisionet parlamentare dhe administratën, me vizita studimore, hartimin e Rregullores se Punës së Kuvendit, doracakut për punën e komisioneve, trajnime, vizita studimore), USAID-i (komisionet parlamentare), UNDP- (komisionet parlamentare, me ekspert, ekipi për OZHM), GTZ-ja (Komisionin për Buxhet dhe Financa, me ekspertë dhe vizita studimore), KE, DCAF-i (Komisionin për Siguri).

Duke folur për punët që e presin administratën e Kuvendit, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ajo në vijim ka para vetës objektiva, si: procedimi për miratim në Kryesinë e Kuvendit të draft Rregullores së re për Organizimin dhe përgjegjësitë e administratës, vazhdimi i punëve në renovimin e ndërtesës se Kuvendit (fasadimi i jashtëm i ndërtesës, renovimi i anekseve, renovimi e parkingjeve dhe hyrjeve nga ana lindore dhe perëndimore), zbatimi i Planit vjetor të punës së Kuvendit, regrutimi i nëpunësve civilë për plotësimin e vendeve të lira, funksionimi më efikas i administratës, hartimi dhe miratimi i Planit të Zhvillimit të Administratës së Kuvendit etj.

Në fjalën ë tij para medieve kreu i legjislativit të vendit foli gjerësisht edhe për bashkëpunimin dhe këmbimin e vizitave të udhëheqjes së Kuvendit të Kosovës me përfaqësues më të lartë të parlamenteve dhe të udhëheqjeve të vendeve të ndryshme të botës. Po kështu foli edhe për vizitat mjaft të suksesshme të personalitete ta larta ndërkombëtare që bënë në Kuvendin e Kosovës, për hir të të cilëve u organizuan katër seanca solemne.

Kryektari i Kuvendit, Krasniqi foli pastaj edhe për bashkëpunimin e frytshëm me shoqërinë civile, nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në monitorimin e Kuvendit, në debate publike, në punën e komisioneve dhe në takimet me kryetarin e Kuvendit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe gjatë këtij sesioni pranveror të Legjislaturës III ka vazhduar të kultivojë raporte të mira me medien e shkruar dhe elektronike. I përkushtuar për transparencë të institucioneve të Kosovës, Kuvendi ka qenë shumë i hapur për përfaqësuesit e medieve.

Pos transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave të Kuvendit nga Radiotelevizioni publik (RTK) (zakonisht deri në orën 17, kurse nëse seanca zgjat edhe pas kësaj ore, xhirimet transmetohen në orët e mesnatës). Puna e komisioneve parlamentare ka qenë e hapur për gazetarë (pos kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit ose privatësinë e individëve).

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun i ka njoftuar rregullisht mediet për aktivitetet e pritshme në Kuvend, si për seancat e rregullta, ato të jashtëzakonshmet dhe solemnet, për mbledhjet e Kryesisë, mbledhjet e komisioneve, dëgjimet publike, për takimet protokollare në Kuvend ose për vizitat në botën e jashtme, si dhe për aktivitete të ndryshme të kuvendarëve të Kosovës në vendbanime të ndryshme të Kosovës, për “Javën e Kuvendit” etj.

Pas konferencës për media , kryetari i Kuvendit u ndal në një bisedë të lirë me gazetarë, fotoreporterë e kameramanë, që ndjekin punën e Kuvendit të Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi mbajti konferencë për media