Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të studiuesve arbëresh të seminarit të albanologjisë

, 24.08.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim të ngrohtë me një delegacion të studiuesve arbëresh, pjesëmarrës të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mbahet në kryeqytetin tonë, i organizuar nga Universiteti i Prishtinës. Në përbërje të delegacionit, i cili udhëhiqej nga Papas Antonio Belushi, ishin edhe Niko Stylos, Gennaro Rizzo, Mario Antonello D’Arcangelo dhe Anna Fucarino. Në fillim të takimit studiuesi i njohur Antonio Belushi me fjalë të zgjedhura falënderoi kryetarin e Kuvendit, z. Krasniqi, për vizitën që iu mundësua këtyre studiuesve , si dhe për mikpritjen. “Mikpritja për ne do të thotë shumë, ajo na nxit të punojmë, të bashkëpunojmë e të duhemi me zemër”. Ai në vazhdim foli gjerësisht për kontributin e rëndësishëm që po jep Seminari i Prishtinës në thellimin e studimeve albanologjike, si dhe tubimin e vijuesve dhe studiuesve nga të gjitha anët e botës, ashtu si edhe nga viset arbëreshe.

Në këtë vështrim vijuesve të seminarit, pos tjerash, po u mundësohet edhe përvetësimi i gjuhës letrare shqipe. Seminari në të njëjtën kohë po ringjall e kultivon lidhjet dhe frymën arbërore. Që nga fillimi i punës Seminari mbetet një çerdhe e denjë e formimit të studiuesve të albanologjisë. Qëndrimi në Prishtinë, tha Belushi, frymëzon vijuesit të ecin guximshëm përpara në projektet e tyre hulumtuese.

Në fjalën e tij z. Belushi foli edhe për traditën letrare arbëreshe, duke pikasur në këtë rrjedhë sidomos Jeronim de Radën, që ishte siç e quajti ai, një rrënjë e madhe arbërore. Pa harruar gjithë atë kontribut të sa e sa brezave të shkrimtarëve e studiuesve ai përmendi edhe kontributin e pazëvendësueshëm të Aristid Kolës në hulumtimin e ndriçimin e rrënjëve arbërore.

Duke u ndërlidhur me gjendjen aktuale në Kosovë, z. Belushi përshëndeti edhe opinionin e drejtë të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës se pavarësia e Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Kryekuvendari Krasniqi duke iu uruar mirëseardhje studiuesve arbëresh vlerësoi lart punën studiuese të Antonio Belushit. Te brezat e mëparshëm dhe ata të tashëm të studiuesve arbëresh, theksoi kryekvendari Krasniqi, ndikim të madh pati Jeronim de Rada dhe pasardhësit e tij. Duke ecur kësaj rruge, tha z. Krasniqi, brezat e tashëm të studiuesve po bëhen vazhdues të denjë të studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë së gjithëmbarshme kulturore e letrare.

Mysafirët dhe kryekuvendari Krasniqi këmbyen edhe dhurata nga fusha e shkencës.
Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të studiuesve arbëresh  të seminarit të albanologjisë