Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 31.08.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit të fillojë më 6 shtator, duke përcaktuar njëherësh edhe rendin e ditës për këtë seancë. Ndërkaq, më 2 shtator, Kuvendi do të mblidhet në një seancë solemne për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së humanistes së madhe, Nëna Tereze.

Pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pas shterimit të pikës së rëndomtë të rendit të ditës së mbledhjeve të rregullta të Kuvendit - pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e 6 shtatorit për herë të parë do të shqyrtohen 13 projektligje, Projektligji për Inspektoratin Policor të Kosovës, Projektligji për tregtinë e mallrave strategjike, Projektligji për mbrojtjen e natyrës, Projektligji për ish- të burgosurit politik, Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Transmetimin, Projektligji për Prokurimin Publik, Projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, Projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, Projektligji për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, Projektligji për prodhimin,grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligji për dizajnin industrial, Projektligji për markat tregtare dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës. Po kështu do të shqyrtohen edhe dy raporte, përkatësisht: Raporti i dytë të Progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010 dhe Raporti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2009. Në këtë mbledhje në rendin e ditës u radhit edhe Ratifikimi i Marrëveshjes së mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.

Kryesia shqyrtoi edhe propozimin e Bordit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës për shkarkimin e drejtorit të kësaj banke. Kryesia këtë propozim ia drejtoi komisionit përkatës të Kuvendit dhe posa ta marrë rekomandimin nga komisioni, do ta radhisë në seancë.

Në vazhdim të mbledhjes Kryesia shqyrtoi edhe disa raporte, rekomandime e kërkesa, si: Projekt-Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020, Raportin gjashtëmujor të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010, Rekomandimin e Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit lidhur me rishikimin e mënyrës së votimit të amendamenteve të komisionit funksional dhe të amendamenteve alternative, si dhe të kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare, kërkesën e Parlamentit Evropian për dërgimin e katër deputetëve dhe të dy zyrtarëve të stafit civil për të marrë pjesë në seminarin, me temën: “Reformat e Administratës Publike dhe Gjyqësori”, që do të mbahet në Bruksel, më 29 e 30 shtator 2010, Propozimin e Gjykatës Supreme te Republikës se Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve të Bordit të Mediave për Ankesa, njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me vendimin për vazhdimin e masës së përkohshme për mënyrën e pagesës së parapagimit për Radio Televizionin e Kosovës, njoftimin e Grupit Parlamentar “7+” për ndërrimin e anëtareve në komisionet parlamentare, si dhe njoftimin e Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit lidhur me kërkesën e përfaqësuesit të Partisë LSDP-së, për heqjen e mandatit të deputetit Dragan Dimiq, duke angazhuar komisionet përkatëse të Kuvendit për shqyrtim të këtyre raporteve e propozim-vendimeve, me qëllim të procedimit të mëtejmë të tyre në Kuvend.

Përkitazi me shkresën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me rastin “Kiqina”, Kryesia ia ktheu atë Komisionit për shqyrtim, në mënyrë që ky komision të bëjë raportin dhe rekomandimet e nevojshme, dhe pastaj kjo çështje të drejtohet në Kryesi.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit