Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti komandantin e ri të KFOR-it, z. Erhard Buhler

, 02.09.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim njohës me komandantin e ri të KFOR-it, z. Erhard Buhler.

Duke i dëshiruar mirëseardhje, kryekuvendari Krasniqi fillimisht e ka përgëzuar komandantin e ri të KFOR-it Erhard Buhler, për marrjen e detyrës së re, në krye të KFOR-it.

Në prononcimin për media kreu i legjislativit theksoi se KFOR-i gjithnjë ka pasur dhe ka një respekt të madh, jo vetëm nga institucionet e Kosovës, por edhe nga qytetarët e saj, për shkak të rolit që ka ai në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. “Roli i KFOR-it vlerësohet edhe në ndërtimin dhe rindërtimin e shumë shkollave, shumë rrugëve, shumë urave, por veçanërisht në stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. Ky kontribut ka qenë dhe vazhdon të jetë i madh. Gjatë këtyre viteve të fundit, KFOR-i dhe NATO-ja kanë pasur një detyrë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët saj, për institucionet e Kosovës, lidhur me përgatitjet me profesionalizëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Krasniqi.

Më tej ai tha se gjatë këtyre viteve kemi pasur marrëdhënie të mira me të gjithë komandantët e KFOR-it, duke shtuar se është i bindur që marrëdhëniet e mira do të vazhdojnë edhe me komandantin e ri të KFOR-it. “Jam i bindur se KFOR-i do të na ndihmojë edhe më tutje në profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it Erhard Buhler tha se ndjehet shumë i lumtur që Gjermania prapë e udhëheq KFOR-in. “Jam i lumtur që përsëri jam në Kosovë dhe është nder i madh për mua që ta udhëheqi këtë forcë, e cila që njëmbëdhjetë vjet me radhë ka arritur shumë suksese”, theksoi Buhler, i cili ndër të tjera foli edhe për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti komandantin e ri të KFOR-it, z. Erhard Buhler