Lajmet e fundit

Kuvendi i Republikës së Kosovës në një mbledhje nderi kushtuar Nënës Terezë shënoi 100-vjetorin e lindjes së saj

, 02.09.2010




Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, u tubuan sot në një mbledhje nderi kushtuar humanistes së madhe Nënës Terezë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Në mbledhje morën pjesë edhe kryeministri e Kosovës, Hashim Thaçi, personalitete të jetës institucionale, fetare e kulturore të Kosovës, si dhe përfaqësues diplomatik.

Duke iu drejtuar të pranishmëve kryekuvendari Krasniqi vuri në dukje përmasat e gjera të figurës së Nënës Terezë, e cila arriti të bëhet nënë e përbotshme. Në këtë frymë kreu i legjislativit të vendit tha:”Me nderim të veçantë sot përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë. Populli ynë është krenar që pati fatin ta nxirrte nga gjiri i tij një humaniste me përmasa kaq të mëdha botërore. Nëna jonë e madhe me humanizmin, përkushtimin e dashurinë e saj mbinjerëzore bashkoi kombe e raca. Deri në fund të jetës, Nëna Terezë me përkushtim i shërbeu njerëzimit, pa marrë parasysh se në cilën anë të globit jetonin, pa marrë parasysh se ç’gjuhë e kombe përfaqësonin. Shëmbëlltyra e saj, me shenjtërinë e saj edhe sot, është në shërbim të të gjithëve, pa dallim”. Në vazhdim ai tha se vetëm në këndvështrimin e historisë, të kulturës e të traditës mund të zbërthehet,të kuptohet dhe të shpjegohet fenomeni i mirësisë, i dashurisë dhe i shpirtit të madh të kësaj bije të kombit shqiptar. Gonxhe Bojaxhiun – që në mbarë botën njihet me emrin Nëna Terezë, e lindi e rriti dhe e madhëroi lashtësia ilire–shqiptare, e nxori në dritë martirizimi shumëshekullor për dashurinë njerëzore, e lartësoi përvujtëria dhe stoicizmi i pashembullt, e bëri të madhe dhe të pavdekshme dashuria e pafund për njerëzimin, e veçanërisht për njerëzit në nevojë për një dorë të ngrohtë njerëzore.

“Nëna dhe Motra jonë u bë dhe do të mbetet Nëna e të gjithëve në hapësirën tonë tokësore e qiellore. Kjo është mrekulli, është shenjtëri, është histori që s’është parë, as dëgjuar kurrë. Është një fenomen prej te cilit përfitoi e krenohet mbarë njerëzimi, të varfrit dhe të pasurit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, të lirët dhe të robëruarit, të ngopurit dhe të uriturit, të shëndoshët dhe të sëmurët, të privilegjuarit dhe të përjashtuarit, besimtarët dhe jobesimtarët. Për secilin njeri, në katër anët e Globit është pasqyrë për njerëzi, për mirësi”, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, duke shtuar njëherësh se fenomeni unik i Nënës Terezë pati shtrirje në krejt rruzullin e tokës dhe e tejkaloi çdo kufi kombëtar, fetar, gjinor, racor. Me veprën e saj prej një shenjtëroreje ajo i dha jetës kuptim dhe domethënie të re. U bë e palodhshme dhe e pamposhtur në luftë kundër vuajtjes, pësimit, varfërisë, vetmisë, sëmundjeve etj. Nëna Terezë kurrë nuk e harroi popullin saj, ninullat e prindërve të saj, dashurinë për fëmijët. Atë e pritnin si hyjneshë nevojtarët e mbarë botës, edhe pse kishte shumë punë, ajo gjente kohë dhe kishte mirësi ta vizitonte Kosovën dhe Shqipërinë.

Nënën Terezë e karakterizonte edhe këmbëngulësia në çdo ndërmarrje të saj për të mirën e njerëzimit. Përkitazi me këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës tha:”Me vendosmërinë si të Nënës Terezë, ne i përballuam vitet më të vështira të fundshekullit XX. Krijuam rrjetin e bamirësisë dhe të vëllazërisë, të bujarisë, sipas parimit të saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes për jetën e tjetrit”, ndërsa sot me emërtime të objekteve fetare, të spitaleve, të shoqërive bamirëse, të rrugëve, të shesheve, të shkollave, të aeroporteve etj. me emrin e saj,kujtohet dhe nderohet vepra e madhërishme e Nënës Terezë, e kësaj humanisteje të madhe nobeliste.

“Brezi ynë dhe brezat që do të vijnë, jo vetëm që do të krenohen me veprën e madhe të Nënës Terezë, por do ta kenë shembull nga i cili do të mësojnë se një njeri, sado i vogël të jetë, po punoi me zemër dhe me përkushtim, mund të bëjë vepra madhështore për të mirën e familjes, të kombit dhe të mbarë njerëzimit. Është nder dhe një privilegj i madh për të gjithë ne, që jetuam në epokën e saj e bëmë ndryshime të mëdha, që e patëm dhe e kemi përjetësisht një Gonxhe, të cilën mbarë bota e quan Nëna Terezë”, tha në përfundim të fjalës së tij , kryekuvendari Krasniqi.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në një mbledhje nderi kushtuar Nënës Terezë shënoi  100-vjetorin e lindjes së saj