Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

, 08.09.2010




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë u udhëhoq nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan Projektligjin për Aspektet Civile të Rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, të cilin e prezantoi para deputetëve ministri i Drejtësisë, Haki Demolli. Ai tha se ky projektligj ka për qëllim krijimin e një baze ligjore që përcakton themelimin e mekanizmave ligjor për sigurimin e kthimit të shpejtë të fëmijëve që largohen apo mbahen pa të drejtë në shtetin e vendqëndrimit, si dhe sigurimin e respektimit të të drejtës së kujdestarisë dhe të kontaktit të fëmijës që janë banorë të përhershëm të Kosovës apo të një shteti kërkues. Demolli po ashtu sqaroi se ky projektligj rregullon procedurën që duhet zbatuar në rastet e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, ndërsa tutje përmendi se miratimi i këtij projektligj është edhe parakusht për procesin e liberalizimit të vizave.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre, pos disa vërejtjeve përmbajtësore të projektligjit në fjalë, kërkuan që të rregullohet edhe çështja e emërtimit të këtij projektligji.

Deputetët me shumicë votash e miratuan në parim këtë projektligj.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, deputetët e mbështetën atë në parim, megjithëse ky projektligj ngjalli debate të shumta në Kuvend, të përcjella me kritika dhe shqetësime. Disa nga deputetët kërkuan që në këtë projektligj të përfshihet edhe ndalimi i shitjes së duhanit nga të miturit, madje ata shpalosën sugjerime të shumta me qëllim të përmirësimit të projektligjit gjatë shqyrtimit nëpër komisione parlamentare.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se me këtë projektligj përcaktohen parimet e përgjithshme dhe procedurat e veçanta me të cilat rregullohet prodhimi, grumbullimi, përpunimi dhe tregtimi i duhanit të papërpunuar dhe produkteve të tij në Kosovë. Ai tha se ky ligj rregullon marrëdhëniet juridike që kanë të bëjnë me procedurat, të drejtat dhe detyrat e subjekteve që merren me prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit.

Për zbatimin e këtij projektligji, Stavileci tha se nuk nevojiten mjete shtesë buxhetore, sepse organet e parapara për themelim ekzistojnë dhe nuk nevojitet plotësimi i tyre me burime të tjera njerëzore, meqë si rezultat i zbatimit të tij do të krijohen të hyra buxhetore.

Në vazhdim të mbledhjes deputetët miratuan edhe Projektligjin për Dizajnin industrial, si dhe Projektligjin për Markat Tregtare, të cilat projektligje i prezantoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Ndërsa, gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, të cilin e prezantoi zv.kryeministri Hajredin Kuçi, disa nga deputetët kërkuan që ky projektligj t'i kthehet sërish Qeverisë, pasi shfaqën vërejtje të shumta brenda projektligjit, duke theksuar se ky projektligji është sjellë në Kuvend me gabime të shumta substanciale.

Gjatë prezantimit të projektligjit në fjalë, zv.kryeministri Hajredin Kuçi sqaroi para deputetëve se ky projektligj ka për qëllim disa ndryshime dhe plotësimin e ligjit për protokollin e shtetit. Projektligji për protokollin e shtetit rregullon procedurat e akreditimit dhe procedurën postakreditimit të shefave të misioneve diplomatike të huaja, të cilët do të akreditohen nga presidenti i Kosovës, tha Kuçi.

Mes tjerash zv.kryeministri Kuçi theksoi se ky projektligj përcakton procedurat për paraqitjen e kredencialeve para presidentit të Republikës së Kosovës, si dhe rregullon fillimin e detyrës së diplomatit, atasheut ushtarak, dhe kriteret e përzgjedhjes së konsulit të nderit.

Gjatë këtij prezantimi Kuçi tha se ky projektligj ka për qëllim forcimin e komunikimit të protokollit të shtetit me misionet diplomatike dhe konsulore si dhe me protokollin e Qeverisë dhe të Presidentit të Kosovës. Pas debatit deputetët me shumicë votash miratuan Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes së Kuvendit deputetët kanë shqyrtuar edhe Raportin e dytë të Progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010, të cilin para deputetëve e paraqiti deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi.

Hundozi tha se pas përsëritjeve të numrit të madh të vërejtjeve në Raportin e Progresit, institucionet e Kosovës këtë vit i kanë marrë shumë më seriozisht vërejtjet që janë dhënë nga Komisioni Evropian. Hundozi duke vënë në pah faktin se institucionet e Kosovës e kanë intensifikuar punën e tyre, veçanërisht Kuvendi i Kosovës, për të përmbushur sfidat e dala në raportin në fjalë tha se nga 85 sfida, janë përmbushur vetëm 35 sosh. Megjithatë, ajo theksoi se raportimi i komisioneve sa i përket trajtimeve të këtyre sfidave, ka qenë më efikas. Sipas saj ministritë po ashtu kanë raportuar rregullisht në komisionet parlamentare. Mirëpo, ajo theksoi se fakti që ligjet të cilat kanë kaluar në Kuvend vetëm në shqyrtim të parë, nuk konsiderohet e arritur në Raportin e Progresit.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre theksuan se raporti në fjalë shënon një progres të bashkëpunimit mes komisioneve parlamentare, si dhe Qeverisë me komisionet parlamentare, por nuk munguan as kritikat dhe sugjerimet.

Raporti i dytë i Progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010, me rekomandimet e Komisionit për Integrime Evropiane, është mbështetur nga deputetët e Kuvendit, ndërsa në vijim deputetët pas shumë vërejtjesh nuk e përkrahën Raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2009.
Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit