Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 15.09.2010




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi Eqrem Kryeziu, filloi me deklarime jashtë rendit të ditës. Zylfije Hundozi në emër të AAK-së shtroi problemin e prodhuesve të rrushit në Komunën e Rahovecit, i cili për shkak të stoqeve që kanë bodrumet e verës nuk po grumbullohet. Si pasojë rrezikohet sasi e madhe e rrushit e njëkohësisht rrezikohet edhe ekzistenca materiale e 2 mijë familjeve. Ajo shtroi kërkesën që të ndërmerret diç nga institucionet, edhe me subvencione , si veprohet në shtete të ndryshme të botës, për të zgjidhur këtë problem. Danush Ademi shprehu shqetësimin e familjeve të cilat po goditen nga shkyçjet kolektive të energjisë kolektive, ndërkaq Myzejene Selmani në emër të AKR-së tha se në PTK nuk po përfillet vendimi për ngrirjen e pagave dhe të pranimit të punëtorëve të rinj. Rexhep Hoti shtroi kërkesën që Kuvendi i Kosovës të hartojë një rezolutë, me të cilën do të përcaktohej që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mos zhvillohen pa praninë e SHBA-ve. Deputetja Melihate Tërmkolli tha se udhëheqja më e lartë e vendit nuk po angazhohet sa duhet rreth procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës ndaj Ramush Haradinajt. Bujar Dugolli shtroi nevojën që të ketë më shumë patrullime të policisë në mbrojtje të familjeve nga grupe të ndryshme të dhunës. Riza Smaka vuri në dukje kamatat e larta të interesit nga ana e institucioneve mikrofinanciare, ndërsa Rita Hajzeraj paraqiti çështjen e mos funksionimit të Institutit Onkologjik , në mungesë të të cilit Kosova po humb 60 milionë euro për shërim të pacientëve jashtë Kosovës.

Përkitazi me zhvillimet aktuale në Asamblenë e OKB-së në kontekstin e miratimit të Rezolutës për Kosovën, para deputetëve foli kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në punimet e kësaj asambleje ishte legjitime dhe e dinjitetshme, duke u prezantuar për herë të parë në këtë Asamble. Qeveria e Kosovës, vuri në dukje Hashim Thaçi, e ka mirëpritur Rezolutën për Kosovën të aprovuar nga AP e OKB-së, që respekton mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila konfirmon se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në vazhdim z. Hashim Thaçi theksoi se Serbia bëri mirë që tërhoqi Rezolutën, duke përmirësuar gabimin e saj. Për një rrjedhë të këtillë të ngjarjeve kontribuuan të gjitha shtetet, por sidomos BE-ja dhe SHBA-të, të cilat dërguan mesazhe pozitive për Beogradin. Në këtë frymë, duke aprovuar Rezolutën për Kosovën, në fakt 192 shtete njohën vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Kjo Rezolutë ka legjitimuar mendimin e GJND-së. Ajo fuqizon shtetin e Kosovës, njeh tërësinë territoriale të Kosovës. Rezoluta përcakton bashkëpunim ndërmjet dy shteteve të barabarta e të pavarura, përkatësisht Kosovës dhe Serbisë. Në vazhdim kryeministri Thaçi u shpreh se Kosova do të jetë partner i BE-së dhe i SHBA-së. Në dritën e këtyre ecurive pozitive dhe të ardhmes së sigurt të Kosovës, kryeministri Thaçi ftoi shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

Sipas rendit të ditës pastaj vazhduan pyetjet e deputetëve, të cilave iu përgjigjën ministrat Ahmet Shala, Enver Hoxhaj dhe Lutfi Haziri. Mbledhja e Kuvendit vazhdoi me debatin parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të PTK-së, sipas Mocionit të Grupit Parlamentar të LDD-së. Kërkesën për inicimin e këtij debati në emër të LDD-së e paraqiti deputetja Besa Gaxherri. Në fjalën e vet ajo paraqiti disa të dhëna mbi potencialet e PTK-së, në mbështetje të të cilave vlerësonte se kjo nuk bën të privatizohet, sepse në këtë mënyrë Kosova nuk do të ketë përfitime. Privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike, sipas Gaxherrit nuk mund të bëhet pa ligj të veçantë dhe me kaq urgjencë. Për të bërë këtë privatizim duhen argumente, por jo si ai se na duhen para për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare. PTK-ja tha në vazhdim Gaxherri, kishte në plan të hapë Postë-bankën, por kjo nuk u lejua.

Duke u përgjigjur në këto vlerësime mori fjalën ministri i Ekonomisë dhe Financave , Ahmet Shala, që është njëherësh edhe kryetar i grupit ndërministror për privatizimin e kësaj kompanie, i cili ishte kategorik në konstatimin se ekziston baza ligjore për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje. Çdo gjë që ka të bëjë me privatizimin e PTK-së do të jetë transparente, madje kjo është duke u bërë edhe nga fakti se në të gjitha pyetjet që shtruan deputetët në një mbledhje të mëhershme të Kuvendit , kur u shqyrtua strategjia e privatizimit të PTK-së, kanë marrë përgjigje. Z. Ahmet Shala tha se ecuritë financiare të PTK-së janë në rënie për shkak të konkurrencës në treg.

Pasuan pastaj diskutimet nga ana e deputetëve. Pjesëtarët e pozitës përkrahnin privatizimin e PTK-së, duke theksuar se kjo është në interesin e Kosovës dhe është në pajtim me ekonominë e lirë të tregut dhe sipas standardeve të asociacioneve ndërkombëtare financiare. Lidhur me këtë u tha se në asnjë rast nuk u menaxhuan mirë ndërmarrjet publike, madje as ecuritë e tashme financiare të PTK-së nuk garantojnë perspektivë. Gjatë debatit u vu në dukje se Kuvendi i Kosovës do të vendosë për çështjen e privatizimit pasi të marrë edhe rekomandimet e komisionit funksional të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, deputetët nga opozita e kundërshtonin me ngulm vlerësimet e pozitës dhe të ministrit Shala rreth nevojës së privatizimit të PTK-së. Një pjesë prej tyre theksonin se privatizimi po bëhet nga vullneti politik, e jo me vullnetin e qytetarëve.

Duke u inkuadruar në debat, dr. Jakup Krasniqi, theksoi se mund të shikohet mbarë procesi i privatizimit , për të parë se a ka qenë në pajtim me ligjet, sepse ka pasur privatizime edhe më të mëdha, siç ka qenë privatizimi i Ferronikelit, i cili është bërë jashtë çdo logjike, madje edhe energjia elektrike iu ka falur. Ka pasur parregullsi edhe në tenderin e operatorit të dytë të telefonisë mobile. Edhe kjo ka ndikuar në uljen e vlerës së Valës. Mirëpo, shtrohet pyetja, pas dy vjetësh athua me çfarë çmimi do të shitet PTK-ja , athua do të mund të shitet me këtë çmim.

Në përmbyllje të debatit kryekuvendari Krasniqi kërkoi nga komisioni përkatës i Kuvendit që në bashkëveprim me grupin ndërministror, brenda 10 ditësh, të sjellin në Kuvend një Raport me rekomandime për privatizim të PTK-së.
Mbledhja e Kuvendit