Lajmet e fundit

Në “Ditën e Hapur të Rinisë në Kuvendin e Kosovës”, Kuvendi u vizitua nga një grup nxënësish dhe studentësh

, 16.09.2010




Në kuadër të aktiviteteve për festimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, sot, në Kuvendin e Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin për Demokratizim të OSBE-së, është shënuar ”Dita e Hapur e Rinisë në Kuvendin e Kosovës”, me ç’rast Kuvendi është vizituar nga një grup nxënësish, studentësh dhe përfaqësuesish të organizatave rinore në Kosovë. Vizitorët, nxënës të Shkollës Amerikane të Kosovës, studentë të Universitetit të Prishtinës dhe aktivistë të organizatave joqeveritare rinore, janë pritur nga Grupi Joformal Parlamentar i Deputetëve të Rinj si dhe janë njohur me ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me deputetët e rinj, mysafirët janë njohur gjerësisht me punën e Kuvendit të Kosovës, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të tij, e në mënyrë të veçantë, me punën që Grupi Joformal i Deputetëve të Rinj bën në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave dhe interesave të të rinjve të Kosovës. Kryetari i këtij grupi, Armend Zemaj, duke bërë një përmbledhje të synimeve dhe aktiviteteve të tij, theksoi se Grupi Joformal i Deputetëve të Rinj, pavarësisht përbërjes së tij shumëpartiake, është unik në çështjet që kanë të bëjnë me rininë. Ai foli rreth miratimit të disa ligjeve që kanë të bëjnë me rininë dhe rritjes së buxhetit për këtë kategori të shoqërisë.

Edhe anëtarët e tjerë të grupit, diskutuan gjerësisht rreth problemeve me të cilat ballafaqohet sot rinia e Kosovës, si dhe njoftuan të pranishmit me përpjekjet e tyre për të kontribuuar në ngritjen dhe zgjidhjen e tyre.

Të rinjtë shtruan një varg pyetjesh, të cilave iu përgjigjën kryetari i grupit dhe anëtarët e tjerë të tij. Këta të fundit kërkuan nga të rinjtë që t’i njohin ligjet dhe të forcojnë angazhimet e atyre, në mënyrë që ato të bëhen më të zbatueshme.

Vizitorët u njohën me ambientet e brendshme të Kuvendit dhe ndoqën për së afërmi një pjesë të seancës së sotme.
Në “Ditën e Hapur të Rinisë në Kuvendin e Kosovës”, Kuvendi u vizitua nga një grup nxënësish dhe studentësh