Lajmet e fundit

Fjalë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në Samitin e kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore

, 20.09.2010




I nderuar kryetar i Komisionit për punë të jashtme i Kuvendit të Kosovës, zoti Sabri Hamiti
Të nderuar kryetarë dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për punë të jashtme i Shqipërisë, zoti Fatos Beja, i Bullgarisë, zoti Dobroslav Dimitrov, i Kroacisë, zoti Kreshimir Qosiq, i Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, i Malit të Zi, zoti Miodrag Vukoviq dhe i Turqisë, zoti Mehmet Cejlan
Të nderuar deputetë
Zonja dhe zotërinj

Kam kënaqësinë e veçantë t’i përshëndes përfaqësuesit parlamentarë të vendeve mike, Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi e të Turqisë dhe t’u uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës dhe në Kuvendin e saj.

Ky takim është dëshmi e marrëdhënieve të mira midis popujve e vendeve tona dhe një kontribut tjetër i bashkëpunimit rajonal ndërparlamentar dhe ndërshtetëror. Vendet tona dhe popujt që përfaqësojmë, në këto kohë transformimesh progresive dhe të proceseve integruese, kanë nevojë për komunikim miqësor, për bashkëpunim të ngushtë dhe për këmbim përvojash prosperuese.

Republika e re e Kosovës, motra e vogël e Rajonit, po bën të gjitha përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për të qenë subjekt aktiv në përparimin e bashkëpunimit të frytshëm rajonal, në dobi të interesave tona të përbashkëta, të integrimeve euroatlantike dhe të paqes e miqësisë.

Unë dua të shfrytëzoj këtë rast të mirë të falënderoj vendet tuaja, presidentët, parlamentet dhe qeveritë tuaja për njohjen e hershme që i keni bërë shtetit tonë, duke thelluar kështu miqësinë midis vendeve e popujve tanë dhe duke e ndihmuar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të pavarësisë, Kosova ka vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e demokracisë moderne, respektimit të të drejtave të njeriut e të komuniteteve pakicë, sundimit të ligjit e të ekonomisë së hapur të tregut.

Kuvendi i Kosovës, si organ përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim, është ngritur e fuqizuar në rolin e tij jo vetëm përfaqësues, por edhe legjislativ dhe atë të kontrollit. Ai ka luajtur rol të pazëvendësueshëm për demokratizimin e sistemit të vendit dhe për ndërtimin e marrëdhënieve ndërparlamentare e ndërshtetërore të Kosovës, me rajonin e botën. Bashkëpunimi i Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian është thelluar pas pavarësisë. Nga viti 2008, përveç takimeve të veçanta, janë realizuar tri takime nder-parlamentare midis Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, duke miratuar në fund të tyre unanimisht deklarata të përbashkëta.

Kuvendi i Kosovës ka realizuar gjithashtu vizita reciproke në nivel të kryetarëve, deputetëve dhe sekretarëve, me parlamente të ndryshme, duke rezultuar me marrëveshje bashkëpunimi dhe formim të grupeve parlamentare të miqësisë.

Në plan ndërkombëtar, Republika e re e Kosovës, sillet në përputhje me parimet e njohura demokratike dhe konform të drejtës ndërkombëtare, që rregullojnë marrëdhëniet midis vendeve, që presupozojnë përmbajtje nga përdorimi i forcës dhe nga çdo rrezikim i sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve tjera.

Pas shpalljes së opinionit të GJND për legjitimitetin e pavarësinë e Kosovës dhe pas Rezolutës së AP të OKB për Kosovën, presim njohje të reja ndërkombëtare të shtetit tonë, duke bërë kështu të mundur anëtarësimin e tij në OKB, në organizmat tjerë ndërkombëtarë dhe përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike.

Duke i dëshiruar punime të mbara këtij takimi të rëndësishëm, uroj që marrëdhëniet tona të thellohen çdo ditë dhe në të gjitha fushat.

Faleminderit
Fjalë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në Samitin e kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore