Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 20.09.2010




Ekzistojnë shumë arsye që Prishtina duhet të ketë ligjin e vet, i cili do të mundësojë funksionalizimin e saj në të gjithë lëmenjtë. Në mbështetje të ligjit Prishtina duhet të ketë edhe grant të veçantë financimi si kryeqytet. Projektligji për qytetin e Prishtinës, i cili tashmë është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës ka mangësi, ndaj ato duhet të evitohen në kuadër të shqyrtimeve dhe amendamentimeve. Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore gjatë debatit shumë të gjerë që u zhvillua në dëgjimin publik, lidhur me amendamentimin e Projektligjit pёr Qytetin e Prishtinës, organizuar nga ana e Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media i Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i komisionit, e ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të subjekteve të ndryshme brenda dhe jashtë Kuvendit, si dhe nga shoqëria civile. Në këtë dëgjim publik merrte pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Në kuadër të vërejtjeve, diskutuesit vunë në pah se në këtë Projektligj duhet të zërë vend edhe Pallati i Rinisë, sepse si theksonin diskutuesit, ai është ndërtuar me kontributin e qytetarëve. Sa i përket distrikteve ato duhet të mbajnë emra me të cilët tashmë janë mësuar qytetarët, si:Kodra e Diellit , Ulpianë , e jo sipas anëve të horizontit, perëndim, lindje etj.

Po kështu u kërkua që në këtë projektligj të mënjanohen dispozita që janë të njëjta me atë të Ligjit për qeverisje lokale, si dhe disa inkonsekuenca. Projektligjit i mungon edhe deklarata financiare.

Në diskutimin e tij Isa Mustafa përshëndeti deputetët e Kuvendit të Kosovës për qasje konstruktive, si në Kuvend, ashtu edhe në këtë dëgjim publik . Kjo, tha ai , shpreh interesimin e përgjithshëm që Prishtina të ketë ligj. Duke folur rreth Pallatit të Rinisë ai tha se me të gjitha dokumentet ky pallat është i Prishtinës, të cilit i duhet një dorë e mirë menaxhimi.
Mbledhja e Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media