Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 20.09.2010




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës, ka diskutuar sot propozim-amendamentet e grupeve të punës në Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe atë për Prokurorin e Shtetit. Anëtarët e komisionit i kanë trajtuar gjerësisht këto propozim-amendamente, në përpjekje për t’i bërë sa më funksionale projektligjet, hartimi dhe miratimi i të cilave vjen në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor në Kosovë. Propozim-amendamentet, pas analizimit dhe modifikimit të disa syresh, morën përkrahjen e anëtarëve të komisionit, ndërsa projektligjet në tërësi, pas miratimit, u proceduan për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Komisioni, në këtë mbledhje, të udhëhequr nga kryetari Bahri Hyseni, u dakordua për fillimin e punës në amendamentimin e Projektligjit për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës dhe krijoi grupin punues për Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës së UÇK-së dhe familjeve të tyre.

Komisioni përkrahu dhe procedoi për në seancë përfundimin e Kryesisë lidhur me propozim-vendimin e kryeministrit të Kosovës për emërimin e anëtareve të bordit të Agjencisë së Pronës dhe të zëvendësdrejtorit të sekretarisë ekzekutive.
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi