Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës

, 23.09.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt plenare, gjatë të cilës deputetët kanë miratuar gjashtë projektligje, propozim-strategjinë e Sigurisë të Republikës së Kosovës, një propozim-vendim të qeverisë dhe një rekomandim. Në këtë mbledhje, e cila u udhëhoq nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqën anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti e Ibrahim Gashi), deputetët ngritën çështje të ndryshme brenda kohës për deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa gjatë kohës së pyetjeve parlamentare, anëtarët e kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrat Bujar Bukoshi e Mahir Yagcilar, iu përgjigjën pyetjeve të tyre.

Tutje, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për shërbimet e sigurisë private dhe atë për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, të cilat u prezantuan nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Projektligjet në fjalë, ministri Rexhepi i konsideroi me prioritet të lartë për Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të tyre për rregullimin e këtyre lëmive të rëndësishme në rrafshin e sigurisë.

Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Këshillin Ekonomiko-Social, i cili u prezantua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Miratimin e deputetëve e morën edhe Projektligji për rezervat shtetërore të mallrave dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për blegtorinë e Kosovës, të cilat i paraqiti ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku. Kuvendi ngarkoi komisionet përkatëse për shqyrtimin e mëtejmë dhe amendamentimin e tyre. Njëherësh, u miratua në lexim të dytë edhe Projektligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, me amendamente të komisionit funksional.

Propozim-strategjia e Sigurisë e Republikës së Kosovës, të cilën e paraqiti ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, iu nënshtrua një debati të gjerë nga ana e deputetëve, gjatë të cilit përfaqësues nga pozita e vlerësuan lart hartimin e strategjisë së të tillë, ndërsa ata të partive opozitare, dhanë vlerësime kritike dhe kërkuan kthimin e plotësimin e saj. Pas shterjes së debatit, Kuvendi e miratoi atë me shumicë votash.

Miratimin e Kuvendit e mori edhe propozim–vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, me përbërje: Arben Canolli, Samir Lleshi, Arben Avdiu, Agim Bivolaku, Nexhat Hasani, Përparim Hoxha, Lulëzim Zeka, Afrore Rudi, Faik Çollaku dhe Ismail Kovaç. Gjithashtu, u miratua edhe rekomandimi lidhur me nominimet për Bordin për Ankesa të Mediave nga Gjykata Supreme e Kosovës, në përbërje: Avdi Dinaj dhe Visar Morina.

Me kërkesë të qeverisë, ndërkaq, u hoq nga shqyrtimi në Kuvend, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale.
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës