Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës

, 30.09.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt plenare, gjatë të cilës deputetët kanë miratuar shtatë projektligje.

Në këtë mbledhje, e cila u udhëhoq nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti), deputetët brenda kohës për deklarime jashtë rendit të ditës ngritën çështje të ndryshme, ndërkaq si rëndom gjatë kohës së pyetjeve parlamentare, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjen kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat Ahmet Shala, Fatmir Limaj e Blerand Stavileci.

Kryekuvendari Krasniqi fillimisht njoftoi deputetët se duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, komisionet funksionale kanë propozuar plotësimin e rendit të ditës për shqyrtimin e dytë të këtyre projektligjeve: Projektligji për Prokurimin publik, Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Prokurorin e shtetit, Projektligji për produkte dhe paisje, Projektligji për mbrojtjen e natyrës, si dhe Projektligji për vlerësimin strategjik mjedisor. Deputetët përkrahën shqyrtimin e këtyre projektligjeve gjatë mbledhjes së sotme.

Në seancën e sotme ishte paraparë të shqyrtohej edhe Rekomandimi për Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Post -Telekomit të Kosovës, mirëpo kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës. Kështu kanë vendosur deputetët e pranishëm në mbledhje, pasi që deputeti Ismet Beqiri (në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së) ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet për shkak të rrethanave aktuale në vend. Kërkesa është përkrahur edhe nga kabineti qeveritar, me ç‘rast foli zv.kryeministri Hajredin Kuqi, i cili ka shfaqur mirëkuptim për këtë kërkesë duke theksuar se kjo çështje do të diskutohet në njërën nga mbledhjet e radhës.

Në vazhdim të mbledhjes, gjatë shqyrtimit të projektligjeve deputetët me shumicë votash miratuan Projektligjin për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, me amendamentet e komisioneve funksionale.

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të Auditimit, për vitin 2009, deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke numëruar mangësitë që janë gjetur në institucionet e vendit lidhur me shpenzimet e parasë publike, vlerësuan se raporti në fjalë është përmbajtësor dhe se zyra e Auditorit Gjeneral ka arritur t’i ngris kapacitetet e veta, duke shtuar se ka përmirësime në mënyrën e auditimit.

Bazuar në këtë raport i cili ofron opinion mbi pasqyrat financiare të Buxhetit të Kosovës si dhe të organizatave buxhetore, deputetët theksuan se ekziston dobësi në procedurat e prokurimit.

Tutje, deputetët theksuan se pasqyrat individuale të organizatave buxhetore nuk janë në koordinim me standardet e kontabilitetit.

Auditori ka konstatuar shumë mangësi, shifrat nuk janë të barazuara, të hyrat regjistrohen me mangësi të theksuara, ekzekutimi i buxhetit është në nivel të pakënaqshëm, si dhe mungojnë të dhëna të sakta në pasqyrat financiare. Pasqyrë e zymtë në këtë raport është paraqitur edhe për komunat, theksuan deputetët.

Deputetët duke përkrahur raportin vjetor të Auditimit, për vitin 2009, kërkuan nga të gjitha institucionet dhe organizatat buxhetore t’i zbatojnë rekomandimet e Auditorit.

Deputetët kërkuan nga Kuvendi që të kërkojë llogari nga Qeveria lidhur me shpenzimet e parasë publike, ndërsa nga Qeveria kërkuan që të ndërmarrë masa ndaj atyre institucioneve që abuzojnë me paranë publike.

Bazuar në raportin vjetor të Auditimit, deputetët theksuan se Qeveria duhet të bëjë edhe monitorimin e ndërmarrjeve publike për arsye të keqpërdorimeve që janë hasur gjatë auditimit.

Krejtësisht në fund të debatit rreth Raportit vjetor të Auditimit, foli edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili gjatë diskutimit të tij krahasoi periudhën e kaluar të rezultateve të auditimit në tri institucione, me periudhën e dy vjetëve të fundit. “Kuvendi, Presidenca dhe MEF-i gjatë vitit 2005, 2006 dhe 2007 nuk kanë pasur rezultate të auditimit të mirë. Ndërsa, në vitin 2008 dhe 2009 rezultati ka qenë i pakualifikuar, pa asnjë rezervë. Krahasuar me këtë, rezultatet tregojnë për një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet tjera. Ne nuk do të ndalemi së ngarenduri për të përmirësuar procedurat, mirëpo kërkoj që mos t’i shohim vetëm pikat e zeza dhe mos të merreni me emocione.”, tha me këtë rast ministri Shala. Raporti vjetor i Auditimit, për vitin 2009, mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim të mbledhjes deputetët kanë shqyrtuar edhe Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Komisionit Qendror Zgjedhor, për vitin 2009. Pasi shprehën shqetësimin e tyre rreth të gjeturave nga auditori, deputetët e Kuvendit të Kosovës e përkrahën raportin në fjalë, duke kërkuar nga KQZ-ja që të zbatojë rekomandimet e Auditorit.

Tutje, deputetët kanë miratuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Pronës dhe të zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të AKR-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Në vijim deputetët me shumicë votash kanë miratuar edhe këto projektligje: Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për Prokurorin e shtetit, Projektligjin për produkte dhe paisje medicinale, Projektligjin për vlerësimin strategjik mjedisor, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e natyrës.

Ndërsa, Projektligji për prokurimin publik ka mbetur të shqyrtohet gjatë ditës së nesërme (e premte), në ora 14:00.
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës