Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës

, 05.10.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe njëherësh ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim pune me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, të kryesuar nga kryetari i këtij këshilli, akademik Rexhep Ismajli, dhe me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj. Në këtë takim u bisedua për veprimtarinë Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili është formuar nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në prononcimin për media , kryekuvendari Krasniqi theksoi se ky Këshill ka një buxhet prej një milion eurosh, ndërsa në vitet e ardhshme do të ketë ngritje të vazhdueshme në buxhetin e këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Ky këshill ka program të zhvillimit të shkencës, i cili është ndër më të mirët në Rajon, ndërsa me organizimin e vet dhe bashkëpunim me institucione përkatëse, do të arrijë të sjellë kontribute e risi , si në shkencat shoqërore, ashtu edhe në ato natyrore, tha kreu i legjislativit të vendit.

Duke u falënderuar për këtë pritje, Rexhep Ismajli shprehu mirënjohje ndaj kryekuvendarit, Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për ndihmën që dhanë për mëkëmbjen e këtij Këshilli. Në këtë mënyrë, ky Këshill, i cili ka për detyrë të bëjë planet për zhvillimin e shkencave, ka hartuar strategjinë e zhvillimit të shkencës deri në vitin 2015, të cilën e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës. Ky dokument tashmë ka forcën e ligjit. Në këtë strategji krahas punonjësve të shkencës nga vendi kanë marrë pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë.

Në vijim Rexhep Ismajli tha se një kontribut i rëndësishëm në shkencën e Kosovës do të jetë konkursi i shpallur para disa ditësh, nëpërmjet të të cilit do të kenë mundësi të konkurrojnë shkencëtarët për projekte të ndryshme. Ndërkaq, në vitin e ardhshëm në veprimtarinë e vet hulumtuese e shkencore Këshilli do të jetë më komod, pasi buxheti do të miratohet më herët. Hapat që po bëhen në aspektin financiar, tha Ismajli, do të kontribuojnë që Këshilli Kombëtar i Shkencës të ketë buxhet të konsoliduar.

Pasi falënderoi kryekuvendarin Krasniqi për këtë takim, ministri Enver Hoxhaj në prononcimin e tij tha se buxheti i sivjetshëm është buxheti i parë që jepet për zhvillimin e shkencës, pas 20 vjetësh. Njëkohësisht strategjia e KKSH-ës është edhe programi i parë i Shkencës në Kosovë, në këtë periudhë. Prioritete të Këshillit do të jenë sidomos këta lëmenj: çështja e mjedisit, resurset, zhvillimi i bujqësisë, mjekësia, hulumtimet ekonomike, si dhe shkencat gjuhësore e historike. Ministri Hoxhaj premtoi se buxheti i vitit të ardhshëm për Këshillin Kombëtar të Shkencës do të jetë dy milionë euro.

Bashkëbiseduesit ishin unik në vlerësimin se për shkencën në Kosovë po vijnë ditë më të mira, ndaj dija do të jetë krah i fortë i zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi priti anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës