Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 06.10.2010




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar dhe përkrahur sot Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, me raportin e komisionit funksional, duke rekomanduar miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i komisionit, Gani Koci, e vlerësoi ligjin shumë të rëndësishëm. Ai theksoi që ligji ka kosto buxhetore, por që është pjesë e planifikuar e buxhetit dhe e përfshirë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

U konstatua, ndërkaq, se amendamentet e propozuara nga komisioni funksional nuk përmbajnë implikime buxhetore shtesë, me përjashtim të amendamentit 10, i cili njëherësh është amendament i propozuar nga tre deputetë të komunitetit turk. U dakordua që t’i kërkohet qeverisë sigurimi i mjeteve shtesë për mbulimin e kostos buxhetore që përmban ky amendament.

Anëtarët e komisionit u njoftuan edhe me agjendën e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Buxhet të vendeve të Evropës Juglindore, e cila do të zhvillohet më 10, 11 dhe 12 tetor në Prishtinë. Pjesëmarrjen në këtë konferencë e kanë konfirmuar përfaqësues të komisioneve për buxhet nga rajoni dhe Evropa.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa