Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 07.10.2010




Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën sot mbledhjen e rregullt plenare të kryesuar nga, Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit,( një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi Sabri Hamiti, po ashtu anëtar i Kryesisë së Kuvendit), gjatë së cilës shqyrtuan për herë të dytë nëntë projektligje.

Sipas Rregullores së Kuvendit, e cila përcakton të drejtën e deputetëve për deklarime jashtë rendit të ditës, disa nga deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh.

Në vijim deputetët u shtruan pyetje parlamentare ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilave iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar: Enver Hoxhaj, Haki Demolli dhe Edita Tahiri.

Seanca vazhdoi punën duke shqyrtuar për herë të dytë projektligjet: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit, Projektligjin për qasje në dokumente publike, Projektligjin për mbrojtjen e konkurrencës, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe Projektligjin për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë.

Deputetët Rrustem Mustafa, Esat Brajshori, Myzejene Selmani, Et’hem Çeku, Bahri Hyseni dhe Gani Koci, arsyetuan raportet me rekomandimet e Komisioneve përkatëse, duke theksuar se është bërë harmonizimi i qëndrimeve edhe me komisionet e tjera relevante në lidhje me këto projektligje.

Pas shqyrtimit një për një të amendamenteve, të gjitha projektligjet u miratuan me shumicë votash nga deputetët.

Pas një debati të gjerë rreth amendamenteve të propozuara nga komisionet parlamentare dhe deputetë të veçantë, Kuvendi i Kosovës sot miratoi përfundimisht edhe Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave.
Nga mbledhja e Kuvendit