Lajmet e fundit

Nga takimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve

, 11.10.2010




Në takimin e sotëm me kryetarët e komisioneve, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kërkoi angazhim më të madh për procedimin e projektligjeve. Ai me këtë rast ua përkujtoi kryetarëve të komisioneve se një mori projektligjesh nuk iu kanë nënshtruar akoma leximit të parë në Kuvend, ndërkaq numri i atyre që do të kalojnë në dëgjimin e dytë është akoma i madh. Në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare janë 26 projektligje, tha kreu i Kuvendit Krasniqi, duke shtuar se shtatë projektligje kanë tejkaluar afatet e paparapara me Rregulloren e Kuvendit për paraqitjen e raporteve me rekomandime në Kuvend. Kreu i Kuvendit më tej shtoi:” Tetë projektligje që ndërlidhen më Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2010, që është dashur të miratohen deri më 30 shtator 2010, kanë mbetur në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare”. Numri i madh i projektligjeve në procedurën e shqyrtimit, kërkon një angazhim më të madh të komisioneve funksionale dhe të përhershme për përshpejtimin e shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve në procedurë, theksoi Krasniqi.

Kryetarët e komisioneve duke raportuar për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit të tyre thanë se shumica nga projektligjet do të procedohen në harmoni me afatin e sesionit vjeshtor të Kuvendit. Duke folur për pengesat që paraqiten gjatë procedimit të projektligjeve, kryetarët e komisioneve veçuan se disa projektligjeve u mungon deklarata financiare. Lidhur me këtë, ata folën për Projektligjin për invalidët dhe veteranët e UÇK-së, Projektligjin për dëshmorët dhe të drejtat e familjeve të tyre, Projektligjin e punës dhe Projektligjin për të burgosurit politikë.

Në fund të këtij takimi, kreu i Kuvendit vlerësoi se me gjithë ngecjet e shënuara, gjatë këtij viti në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë miratuar më së shumti ligje, dhe shtoi se vetëm në dy mbledhjet e fundit të Kuvendit janë miratuar pesëmbëdhjetë sosh.
Nga takimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve