Lajmet e fundit

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 11.10.2010




Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, i kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar, kishte sot një takim për shqyrtimin e Projektligjit për Qytetin e Prishtinës bashkë me kryetarët e komunave të Prishtinës, Podujevës, Kastriotit, Fushë - Kosovës dhe Graçanicës. Takimi ishte thirrur për të biseduar mbi dy çështje kryesore të Projektligjit, përkatësisht për nenet 2 dhe 9, të cilët bëjnë fjalë për çështjen e kufijve të qytetit të Prishtinës dhe përcaktimin e Zonës metropolitane të Prishtinës. Për këto çështje u zhvillua debat shumë i gjerë, por sërish mbeti dilema se a duhet të qëndrojë dispozita në këtë Projektligj, sipas së cilës kufijtë e qytetit të Prishtinës përputhen me kufijtë komunalë të Komunës së Prishtinës, apo Projektligji nënkupton vetëm qytetin e Prishtinës, do të thotë pa zonat rurale. Për këtë çështje do të bisedohet edhe njëherë me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, ekspertë, kryetarë të komisioneve të tjera përkatëse të Kuvendit, sponzooruesin dhe përfaqësuesin e Zyrës ligjore të Kryeministrisë.

Kur është fjala për Zonën metropolitane të Prishtinës u tha se dispozitat përkatëse të nenit 9 duhet të plotësohen e specifikohen. Ky nen përcakton politikat e përbashkëta të qytetit të Prishtinës dhe komunave me të cilat kufizohet ai. Këto çështje përcaktohen me marrëveshje dhe sipas interesit të përbashkët. Në këtë frymë u propozua që në dispozitën përkatëse në vend të fjalëve “hyjnë në partneritet”, të përdoren fjalët ”mund të hyjnë në partneritet”.
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media