Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 12.10.2010




Në mbledhjen e sotmet të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë e edhe shefat e grupeve parlamentare është vendosur që mbledhja plenare e Kuvendit të mbahet më 14 tetor, si dhe ka përcaktuar rendi i ditës për këtë seancë.

Pas pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, në këtë mbledhjen plenare do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, si dhe Projektligji për Patenta. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Si pikë shtesë e kësaj mbledhje plenare ka hyrë edhe Rekomandimi për Propozim- strategjinë dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Post Telekomit të Kosovës (e hequr nga rendi i ditës të seancës 25 shtatorit, me kërkesën e grupit parlamentar të LDK-së).

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar një varg mocionesh, rekomandimesh dhe kërkesash të Komisioneve, të grupeve parlamentare e të deputetëve të veçantë. Kështu duke e shqyrtuar kërkesën (e deputetit Driron Tali, të mbështetur edhe nga pesë deputetë të tjerë) për Debat parlamentar lidhur me garancion bankar të operatorit mobil “Kosmocell”, Kryesia, konform nenit 15.8 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur që çështjen ta radhisë për mbledhjen e parë vijuese të Kuvendit të Kosovës.

Mocionn e Grupit joformal të grave deputete për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet (të mbështetura edhe nga 84 deputetë tjerë) Kryesia, ia përcjell për mendim Qeverisë së Kosovës.

Kryesia ka tumirë Rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2009, nuk do tëhuhej të procedohej, si i veçantë, për shqyrtim në Kuvend, por në kuadër të raportit përfundimtar të pasqyrave financiare të institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, Kryesia ka mbështetur edhe Rekomandimin e Komisioni për Buxhet dhe Financa për ridestinimin e projekteve kapitale në buxhetin e Kuvendit të Kosovës për vitin 2010.

Duke e shqyrtuar Propozim-vendimn e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me propozimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe Propozim-vendimin lidhur me zbatimin e Strategjisë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, si komision funksional, që t’i shqyrtojë këto dy çështje dhe Kuvendit t’ia paraqesë raportet me rekomandime.

Kërkesën e Bordit të BQK-së për rishqyrtimin e Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2009, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Buxhet dhe financa, që të vlerësojë nëse ka arsye për të rishqyrtuar të raportit vjetor të BQK-ës.

Pasi e ka shqyrtuar kërkesën për shpalljen e konkursit për zëvendësit e Avokatit të Popullit, kryesia ka ngarkuar Komisionin për legjislacion dhe gjyqësi, që në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, të përgatisë dhe Kuvendit t’ia paraqesë për miratim Rregulloren për procedurën e zgjedhjes dhe shkarkimit të Avokatit të Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Kryesia në fund të takimit e ka shqyrtuar Propozim-Rregulloren për organizimin dhe për përgjegjësitë e Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe pas raportimit të anëtarit të saj, Naim Maloku, dhe të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi edhe e ka miratuar atë me vërejtjet dhe plotësimet e propozuara.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës