Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 14.10.2010




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ( një pjesë të së cilës e kryesoi Xhavit Haliti), filloi me deklarime jashtë rendit të ditës. Myrvete Pantina shtroi çështjen e mospagimit të 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve publike të privatizuara. Nait Hasani theksoi se kanë ndodhur vjedhje në sirtarë të policisë në Prizren,Pejë , Prishtinë etj., por nuk është ndërmarrë asgjë për ndriçimin e tyre. Në vijim ai shtroi edhe nevojën që të aprovohet Rezoluta për krimet e totalitarizmit. Xhevdet Neziraj tha se Ligji mbi komunitetet nuk po zbatohet me konsekuencë, sidomos në fushën e punësimit. Ndërkaq, Gani Geci përmendi çështjen e heqjes së flamurit shqiptar në sheshet e Prishtinës. Në vijim ai theksoi se nga zyra e Presidencës së Kosovës janë hequr fotografitë e presidentëve Rugova dhe Sejdiu, prej kohës kur këtë detyrë filloi ta ushtrojë z. Jakup Krasniqi. Rita Hajzeraj u angazhua për një kujdes shumë më të madh ndaj studentëve pa prindër të Krushës, me rastin e sigurimit të vendeve në konviktet e Qendrës së Studentëve të Prishtinës. Rexhep Hoti shprehu shqetësimin e tij ndaj ashpërsimit të luftës politike ndërmjet forcave politike në Shqipëri, duke apeluar që të ndërmerret diç nga institucionet përkatëse të Kosovës , qoftë edhe nëpërmjet ndonjë vizite në Tiranë, që politika e atjeshme të zhvillohet në institucione. Gjylnaze Syla theksoi se Peja po diskriminohet në fushën e investimeve për shkak të mosdhënies së votës PDK-së gjatë zgjedhjeve. Ramadan Avdiu apeloi për shtimin e përpjekjeve të institucioneve drejt integrimeve dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Besa Gaxherri theksoi se çështja e shkarkimit të ish-presidentit Sejdiu nuk u bë sipas dispozitave kushtetuese, pasi sipas saj shkarkimin e Sejdiut duhej ta bënte Kuvendi i Kosovës. Hafize Hajdini bëri apel për ndihmë më të madhe dhe më të ngutshme për strehimin e disa familjeve, si raste sociale të Komunës së Ferizajt.

Përkitazi me disa çështje të ngritura fjalën e mori kryekuvendari e njëherësh president në detyrë, Jakup Krasniqi, i cili theksoi se detyrën e presidentit nuk e ka marrë nga vullneti i tij, por si obligim nga Kushtetuta e Kosovës. Rreth çështjes së heqjes së fotografive, kryekuvendari Krasniqi tha:”Gjithnjë përpiqem të krijoj kulturë institucionale. Nuk kam eliminuar asnjë fotografi. Në zyrën time janë të vendosura edhe fotografitë e Rugovës edhe të Sejdiut. Unë nuk luaj me fotografi. Nuk kam hequr askënd as nga interneti. Angazhohem për vend të veçantë për fotot e presidentëve dhe për dhurata, në frymën e zbatimit edhe të Ligjit për Presidentin”. Në vijim z. Krasniqi apeloi për nderim të së kaluarës e ndërtim të së ardhmes, për ruajtje të traditës institucionale dhe zbatimin e ligjeve në fuqi, duke mos rënë pre e dezinformimit të ndonjë televizioni privat.

Në pyetjet e deputetëve u përgjigjën kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrat Lutfi Zharku e Nenad Rashiq.

Duke u përgjigjur rreth disa çështjeve që kishin të bënin me bisedimet Kosovë-Serbi, kryeministri Thaçi tha se ashtu si u tha edhe nga sekretarja Klinton, duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet fqinjëve, andaj edhe me Serbinë. Ndërkaq, kur është fjala për korrupsionin, lufta kundër tij do të zbresë edhe në Kuvend. Korrupsion ka edhe me rastin e votimit, meqë po trafikohet vullneti i qytetarëve, tha kryeministri Thaçi.

Pastaj vazhdoi shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, të cilin e prezantoi ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala. Pas debatit të gjerë, në kuadër të të cilët u dhanë edhe disa vërejtje e sugjerime, ky Projektligj u miratua në parim. Në vijim deputetët shqyrtuan për herë të parë Projektligjin për Patenta, për të cilin arsyetimin e dha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku. Pas vërejtjeve e propozimeve të diskutuesve ky Projektligj u miratua në parim. Në vijim të seancës deputetët aprovuan Projektligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në vazhdim të seancës u shqyrtua Rekomandimi për Propozim-Strategjinë dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Post -Telekomit të Kosovës. Duke arsyetuar këtë strategji, kryeministri Hashim Thaçi, theksoi para deputetëve se Qeveria e Kosovës ka adresuar çështjet e ngritura nga debati i seancës së mëparshme dhe ka siguruar transparencën për këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Kosova do të jetë e hapur për ekonomi të tregut dhe për thithje të investimeve drejt ekonomisë së lirë të tregut. Privatizimi i PTK-së është reformë strukturale që kontribuon në rritjen ekonomike të vendit, ndërsa për këtë ekziston edhe mbështetja e plotë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Strategjia nuk është listë dëshirash , por reformë, ajo është në dobi të të gjithëve, theksoi kreu i ekzekutivit të vendit. Kur është fjala për punëtorët e tashëm të PTK-së, z. Thaçi tha se garanton që asnjë punëtor nuk do të humbë vendin e punës-minimum katër vjet pas privatizimit. Ky projekt, theksoi Thaçi, nuk guxon në asnjë mënyrë të jetë peng i vendimeve politike.

Në rrjedhën e mëtejme të seancës, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se ky grup parlamentar nuk përkrah këtë projekt dhe kërkon ta shtyje për ndonjë seancë tjetër, pas të jepet një analizë dhe arsyeshmëri më e mirëfilltë. Për përkrahje të strategjisë ishte Grupi parlamentar i PDK-së, ai 7+, ndërsa grupi për Integrime e la këtë çështje ta vendosin vetë deputetët. Ndërkaq, kundër privatizimit ishin edhe grupet parlamentare të AAK-së dhe LDD-së. Pas prezantimit të këtyre qëndrimeve të grupeve parlamentare Ismet Beqiri kërkoi që të votohet mocioni i grupit të LDK-së për shtyrje të aprovimit të kësaj strategjie, mirëpo ky mocion nuk fitoi votat e nevojshme. Në fund u votua dhe u aprovua Strategjia për privatizimin e Post -Telekomit të Kosovës nga shumica e nevojshme e deputetëve.
Mbledhja e Kuvendit