Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, organizoi pritje për gazetarët dhe kryeredaktorët e medieve

, 30.12.2010




Me rastin e fund vitit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, sot organizoi pritje për gazetarët dhe kryeredaktorët e medieve që ndjekin punën e Kuvendit të Kosovës. Duke dhënë një pasqyrë përmbledhëse të aktiviteteve gjatë Legjislaturës së Tretë, Krasniqi tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë Legjislaturës së tretë (2008-2010), ka mbajtur 136 mbledhje plenare, në të cilat janë shqyrtuar 256 projektligje, janë miratuar 205 ligje; janë parashtruar 915 pyetje parlamentare, janë mbajtur katër interpelanca dhe 15 debate parlamentare.

Duke iu referuar punës së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari tha se gjatë kësaj Legjislature, Kryesia e Kuvendit ka mbajtur 128 mbledhje, ka nxjerrë 351 vendime dhe 310 përfundime.

Po ashtu, gjatë kësaj Legjislature, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar tri deklarata, dy rezoluta, ka mbajtur katër interpelanca dhe ka zhvilluar 19 mocione, theksoi kryetari Krasniqi.

Kuvendi ka ratifikuar katër marrëveshje ndërkombëtare, ka mbajtur 21 seanca solemne, tri seanca të jashtëzakonshme dhe 117 seanca të rregullta plenare, tha kreu i legjislativit.

Kryetari i Kuvendit lavdëroi punën e komisioneve parlamentare për të cilat tha se kanë mbajtur 1004 mbledhje. Duke paraqitur aktivitetet e Kuvendit, në vazhdim të fjalës së tij ai tha se organi më i lartë legjislativ dhe përfaqësues i vendit ka mbajtur “Javën e Kuvendit të Kosovës”, gjatë së cilës janë mbajtur takime në : Ferizaj, Lipjan, Vushtrri, Podujevë, Gjakovë, Graçanicë, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Prizren.

Duke iu referuar bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare kreu i Kuvendit tha se Kuvendi i Kosovës ka bashkëpunuar me parlamente e institucione jashtë vendit, si: Parlamentin Evropian, Asamblenë Parlamentare të NATO-së, Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendin e Madh të Turqisë, Parlamentin e Mbretërisë se Bashkuar, Bundestagun Gjerman, Parlamentin e Kroacisë, Parlamentin e Sllovenisë dhe Parlamentin e Belgjikës, dhe theksoi se gjatë kësaj periudhe Kryesia dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë realizuar 146 vizita jashtë vendit.

Duke u përgjigjur në një pyetje rreth asaj se a ka rënë Kuvendi nën ndikimin e Qeverisë së Kosovës, kryekuvendari Krasniqi tha se Kuvendi i Republikës ka ushtruar funksionin e vet në mënyrë të pavarur, konform Kushtetutës dhe ligjeve, por dihet se fusha e legjislacionit kërkon bashkëpunim të dyanshëm. Në këtë vështrim Qeveria e Kosovës ka qenë sponzoruesi më i madh i projektligjeve. Në fund Krasniqi iu drejtua gazetarëve dhe të pranishmëve me fjalët:”Shfrytëzoj rastin që juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ ju uroj Vitin e Ri 2011. Ju uroj suksese, shëndet dhe mbarësi, duke besuar se e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj të jetë edhe më e ndritshme”.

Me këtë rast në hollin e Kuvendit ishte organizuar edhe një koktej për të pranishmit.
Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, organizoi pritje për gazetarët dhe kryeredaktorët e medieve