Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 10.02.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga Legjislatura III, bashkë me përfaqësues të partive politike që do të kenë grupe parlamentare në Legjislaturën IV, kanë mbajtur sot një takim pune, drejtuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, njëherësh ushtrues detyre i president të vendit, në cilën është vendosur për rendin e ditës së seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit, si dhe janë përcaktuar vendet ku do të ulen deputetët e secilit grup parlamentar.

Është vendosur që seanca konstituive e Legjislaturës IV të mbahet më 24 shkurt të këtij viti.

Në këtë seancë, e cila pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, i cili shoqërohet nga deputeti më i ri, pas krijimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin kuorumit dhe të mandateve, do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të cilin e propozon partia me numrin më të madh të deputetëve dhe të pesë nënkryetarëve ( tri partitë me numrin më të madh të deputetëve: PDK, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, e propozojnë nga një anëtar për nënkryetar, një e propozojnë deputetët e komunitetit serb, kurse një tjetër e propozojnë deputetët e komuniteteve të tjera, joshqiptare dhe joserbe.

Megjithëse në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe mundësia e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës para datës 17 shkurt, festës së Pavarësisë, është vendosur që për hir të procesit politik dhe krijimit të institucioneve të qëndrueshme për vendin, seanca të mbahet më 24 shkurt. Në një seancë vijuese , ndërkaq, do të zgjedhen presidenti dhe Qeveria e Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës