Lajmet e fundit

U mbajt seanca Konstituive e Legjislaturës IV e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 21.02.2011




Sot, u mbajt seanca Konstituive e Legjislaturës IV e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seancën e hapi deputetja Flora Brovina, ndërsa në kryesinë e punës së kësaj seance ishte edhe deputetja, Biserka Kostiq. Pasi përshëndeti përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe të vendit, ajo filloi me procedimin e rendit të ditës. Në fillim u formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, dhe pasi ai konstatoi verifikimin e tyre, seanca vazhdoi me dhënien e betimit të deputetëve. Me rastin e dhënies së betimit deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje shpaluan flamurin kombëtar në tavolinat e tyre.

Seanca pastaj vazhdoi punën me pikat e rendit të ditës: zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Zenun Pajaziti,në emër të PDK-së, parti kjo me më shumë deputetë në përbërjen e re të Kuvendit, propozoi që kryetar i ri të zgjedhet Jakup Krasniqi. Propozimi u hodh në votim dhe dr. Jakup Krasniqi me shumicë votash u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës. Pastaj u zgjodhën edhe nënkryetarët e rinj të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Në këto poste nga radhët e PDK-së u zgjodh Xhavit Haliti,nga LDK-ja Sabri Hamiti, nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga komuniteti serb Petar Miletiq, ndërsa nga radhët e komuniteteve të tjera, Enis Kervan.

Në fjalën e rastit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në fillim përgëzoi deputetët e rinj për zgjedhjen e tyre në organin më të lartë ligjvënës të vendit. Ai falënderoi edhe qytetarët për besimin që ua dhanë deputetëve dhe njëherësh falënderoi deputetët për besimin që ia dhanë atij për të udhëhequr me legjislativin e vendit. Në vazhdim kryekyvendari Krasniqi foli për të arriturat në Legjislaturën e Tretë, duke theksuar se gjatë kësaj legjislature është arritur që me sukses të promovohet demokracia dhe kultura parlamentare, duke siguruar njëkohësisht edhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë në Kuvend. Rëndësia e Kuvendit në sistemin demokratik të Kosovës, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, konsiston në rolin e tij legjislativ, përfaqësues dhe të kontrollit të institucioneve të zgjedhura nga Kuvendi. Kuvendi ka objektiva të shumta dhe të mëdha përpara. Kreu i legjislativit të vendit, në këtë frymë, i uroi përbërjes së re punë të mbarë edhe në zgjedhjen e institucioneve të tjera të shtetit, si dhe përmbushjen e të gjitha objektivave kushtetuese. Duke përmbyllur fjalën e tij kryekuvendari Krasniqi tha:”Ju siguroj juve dhe qytetarët e Kosovës se gjatë udhëheqjes së Legjislaturës së Katërt gjithçka do të jetë mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit”. Ai përgëzoi edhe anëtarët e Kryesisë për detyrat dhe përgjegjësitë që morën, duke u bërë ftesë edhe për mbledhjen e parë të Kryesisë për ditën e sotme, në të cilën shqyrtohen detyrat e reja që e presin Kuvendin.
U mbajt seanca Konstituive e Legjislaturës IV e Kuvendit të Republikës së Kosovës