Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin francez në Prishtinë, Fitou

, 01.03.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ambasadorin francez në Prishtinë, Jean-François Fitou, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e tyre në ardhmen.

Ambasadori francez, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që i rezervoi, e uroi atë për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës, si dhe e përgëzoi për punën e mirë që ka bërë gjatë legjislaturës së kaluar dhe proceseve të tjera. Fiotu theksoi se kjo periudhë, pas asaj të pavarësisë, është shumë e rëndësishme për Kosovën, për faktin se është periudhë e integrimeve evropiane. Ai tha se Parisi zyrtar e mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimin evropian të saj.

Sa i përket bisedimeve me Beogradin, ambasadori francez theksoi se nuk do të diskutohet çështja e statusit dhe e kufijve të Kosovës.

Kryetari Jakup Krasniqi, pasi e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe urimet me rastin e rizgjedhjes, potencoi ndihmën që Asambleja Kombëtare e Francës i ka dhënë Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve. Krasniqi çmoi lart kontributin që ka dhënë dhe po jep Franca në fushën e sigurisë në Kosovë, nëpërmjet prezencës së saj ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe të EULEX-it. Të një rëndësie të veçantë për Kosovën, kreu i legjislativit e cilësoi çështjen e liberalizimit të vizave dhe të integrimit evropian të Kosovës, procese këto në të cilat Kosova pret mbështetjen e Francës.

Duke folur rreth bisedimeve me Beogradin, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Kosova obligohet nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe se në këtë proces mund të ndihmojë diplomacia franceze.
Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin francez në Prishtinë, Fitou