Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 03.03.2011




Në kujtim të dy ushtarëve amerikan të vrarë mbrëmë në Aeroportin e Frankfurtit të Gjermanisë, deputetët e Legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, mbledhjen e sotme e filluan me një minutë heshtje. Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (i cili edhe udhëhoqi mbledhjen) tha:“ Me rastin e djeshëm kriminal që ndodhi në Aeroportin e Frankfurtit, në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, në emër tuajin, deputetë dhe kabinet qeveritarë, u shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ushtrisë Amerikane, popullit amerikan, dhe familjeve të të vrarëve”.

Në vijim të mbledhjes, me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit dhe me miratim edhe të Presidentit të Republikës, katërmbëdhjetë deputet të rinj bënë betimin për shkak se po aq deputet që kishin zënë vendet në Kuvend kishin kaluar në ekzekutivin e vendit.

Në kuadër të pikës së përhershme të mbledhjeve plenare, ku deputetët mund të ngritin çështje jashtë rendit të ditës, deputeti nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, pasi vuri në pah parregullsitë që kanë përcjell procesin zgjedhor tha se LDK do të jetë zë i fortë në kërkim të së vërtetës dhe korrigjuese e qeverisë. Po ashtu, vijoi Hamiti, do të jemi edhe mbështetëse e punëve të mira të qeverisë.

Në vazhdim, deputetët Shqyrtuan i Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin mars të viti 2011. Lidhur me këtë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, sqaroi deputetët se për shkak të stërzgjatjes së procesit zgjedhor nuk është miratuar Ligji për buxhetin, i cili pritet të miratohet gjatë këtij muaji. Ai, duke iu referuar Ligjit për ndarje buxhetore, (nenit njëzetekatër pika dy) kërkoi nga deputetët miratimin për ndarjen buxhetore për muajin mars. Lidhur me kërkesën e qeverisë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin mars të viti 2011, fjalën e mori edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi. Edhe kryeministri tha se si pasojë e stërzgjatjes së procesit elektoral Ligji për buxhetin është vonuar. Por tha ai, ky Ligj së shpejti do të sillet në Kuvend dhe i njëjti do të përmbajë edhe premtimin për rritjen e pagave që u janë premtuar nëpunësve civil dhe punëtorëve të arsimit. Pas kësaj, propozimi i qeverisë u hodh në votim, i cili nga deputetët u mbështet pa as një votë kundër.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Thaçi informoi deputet me rrjedhën e përgatitjeve të procesit për bisedimet me Serbinë. “Ndiej obligim kushtetues, ligjor por edhe moral që në kuadër të transparencës së plotë të proceseve politike që po kalojmë, në një proces të vazhdueshëm për të ardhmen Evropiane të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka marrë vendime në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Për kryerjen e përgjegjësive për bashkëpunim ndërfqinjësor duke emëruar edhe njërën nga zv. kryeministrat (Edita Tahiri) përgjegjës për çështje të dialogut me Serbinë, për të cilin kemi besim të plotë se do të përfundojë me njohjen reciproke të të dyja vendeve, tha Thaçi.
Nga mbledhja e Kuvendit