Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi bëri homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari

, 06.03.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Enis Kervan, deputetë e bashkëpunëtorë të tjerë, sot, në 13-vjetorin e rënies së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Jasharëve në Prekaz dhe ka vendosur një kurorë lulesh.

Në këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi tha se po të kishte mundësi, do të vizitonte çdo familje shqiptare që ka kontribuar për të ardhur Kosova këtu ku është sot. Por, tha se u zgjodh Prekazi, për shkak të përmasës së dhimbjes dhe lavdisë së nivelit kombëtar që e ka.

“Jemi të bindur që duke e nderuar këtë përmasë të lavdisë dhe të dhimbjes kombëtare, ne nderojmë gjithë familjet shqiptare në Kosovë, e nderojmë gjithë kombin shqiptar dhe historinë e dhimbshme të tij, por njëkohësisht edhe të lavdishme”, theksoi kryetari Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi bëri homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari