Lajmet e fundit

Teksti i Rezolutës

, 10.03.2011




Legjislatura IV

Kuvendi,

Duke respektuar Rezolutën për Kosovën të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 09 shtator 2010, në bazë të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit, në mbledhje plenare të mbajtur më 10 mars 2011, në propozim të Grupit Parlamentar të PDK-së, me përkrahje të GP KKR-së, të GP SLS-së dhe GP 6+, miraton këtë

                              REZOLUTË

Për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që dialogu midis dy palëve të lehtësohet nga BE dhe SHBA-të.
3. Dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i përgatitur mirë, me agjendë të qartë dhe të përcaktuar paraprakisht, në marrëveshje ndërmjet palëve dialoguese, duke përfshirë edhe lehtësuesit e dialogut.
4. Agjenda e dialogut do të përfshij vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.
5. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që t’ia paraqet Kuvendit të Republikës së Kosovës dokumentin themelor të dialogut brenda afatit ligjor.
6. I/e emëruari nga Kryeministri udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë do të informojë në baza të rregullta Komisionin për Politikë të Jashtme dhe komisionet tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës dhe do të raportoj, edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.
7. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, në të mirë të dy vendeve tona, popujve tanë, të integrimeve evropiane dhe të stabilitetit e prosperitetit të përgjithshëm të rajonit.
8. Kuvendi i Republikës së Kosovës riafirmon qëndrimin se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë kontribut për paqen e stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi si dhe për përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës e rikonfirmon të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që i nënshkruan Qeveria e Republikës së Kosovës.

Nr. 04-R-001
Prishtinë, më 10 mars 2011

Kryetari i Kuvendit,
Jakup KRASNIQI