Lajmet e fundit

Nga mbledhja e plenare e Kuvendit të Kosovës

, 10.03.2011




Pas shterimit të pikës së përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare të Kuvendit të Kosovës - çështje jashtë rendit të ditës - kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili e ka drejtuar seancën e sotme, ka propozuar që Rezoluta për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të shqyrtohet si pikë e fundit mbledhjes së sotme të Kuvendit.

Në vazhdim kryeparlamentari Krasniqi ka prezantuar pajtimin e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit për krijimin e trembëdhjetë komisioneve parlamentare, si dhe për drejtuesit anëtarët e këtyre komisioneve, nga të cilat katër do të jenë komisione të përhershme (Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Integrime Evropiane) , kurse nëntë do të jenë komisione funksionale (Komisioni për Punë të Jashtme, Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione).

Për numrin dhe përbërjen e komisioneve parlamentare nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, për to kanë votuar 104 deputetë, gjashtë kanë qenë kundër, kurse një deputet ka abstenuar.

Rezolutën për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e ka prezantuar para deputetëve kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci. Ai ka sqaruar deputetët për takimet që ka pasur me shefat e grupeve të tjera parlamentare dhe për faktin që nuk është arritur pajtimi që rezolutën ta nënshkruajnë edhe shefat e tri grupeve parlamentare nga opozita: i LDK-së, i AAK-së dhe i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në fund Rezoluta është miratuar me shumicë votash të deputetëve (64 votuan për, 48 ishin kundër, kurse një ka abstenuar).
Nga mbledhja e plenare e Kuvendit të Kosovës