Lajmet e fundit

U prezantua Raporti për Zhvillimin Njerëzor në Kosovë 2010

, 16.03.2011




Në ambientet e hotelit “Grand” në Prishtinë,sot, organizuar nga UNDP-ja, u prezantua Raporti për Zhvillimin Njerëzor në Kosovë 2010, që ka të bëjë me përfshirjen sociale. Me këtë rast fjalën hyrëse për rëndësinë e këtij Raporti e paraqiti Osnat Lubrani, koordinatore zhvillimore e OKB-së dhe përfaqësuese e UNDP-së. Në këtë aktivitet ishte ftuar për të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili edhe mbajti një fjalë rasti. Duke iu drejtuar të pranishmëve kryekuvendari Krasniqi shprehu kënaqësinë që është prezent në paraqitjen e këtij Raporti, dokument ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Raporti i vitit 2010, theksoi në vijim kryekuvendari Krasniqi, trajton një temë që është me rëndësi esenciale për qytetarët e Kosovës në kontekstin aktual: përfshirjen sociale të tyre. Përfshirja sociale në fushën ekonomike, në arsim, në sektorin shëndetësor dhe në sistemin politik është kornizë kyçe zhvillimore e çdo shteti, e sidomos e atyre shteteve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, siç është Republika e Kosovës. Pasi theksoi se institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për gjendjen aktuale, jo të favorshme për grupet më të ndjeshme të shoqërisë sonë, kreu i legjislativit të vendit vuri në dukje se institucionet e vendit janë të përkushtuara dhe do të punojnë më me ngulm për zhdukjen e varfërisë, krijimin e mundësive për një edukim sa më kualitativ për të gjithë, fuqizimin e rolit të femrës në shoqëri dhe në pozita vendimmarrëse, ngritjen e cilësisë së strukturave shëndetësore dhe për krijimin e kushteve të përshtatshme për partneritet ndërshtetëror me vendet e zhvilluara, u shpreh z. Krasniqi.

Me ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare, si: Organizata për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe organizatat tjera të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kuvendi i Kosovës është angazhuar dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen në ndërmarrjen e veprimeve për të ngritur cilësinë e jetesës në Kosovë për secilin qytetar, pa asnjë dallim, pohoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
U prezantua Raporti për Zhvillimin Njerëzor në Kosovë 2010