Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti ambasadorin e ri të Kroacisë, z. Zoran Vodopija

, 23.03.2011




Në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, me ambasadorin kroat Vodopija, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve, e në veçanti për bashkëpunimin reciprok në mes dy kuvendeve, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Saborit të Republikës së Kroacisë.

Ambasadori, pasi përshëndeti dhe falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen që i bëri, foli për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.” Këmbimi i vizitave të komisioneve parlamentare ( siç është Komisioni për Integrime Evropiane dhe ai për Marrëdhënie me jashtë), janë në dobi të të dyja vendeve”, tha ambasadori Vodopija. Në vijim ai shtoi se Kroacia mundë ta ndihmojë Kosovën në përafrimin e ligjeve me ato të BE-së duke ua ofruar ato të përkthyera. Po ashtu, ai foli edhe për mundësinë e hapjes së Katedrës së gjuhës shqipe në Kroaci si dhe Katedrës kroate ne Kosovë.

Kryetari Krasniqi, duke falënderuar ambasadorin për vizitën, shtoi se për shkak të rrethanave të krijuara para dhe gjatë luftës në Kosovë, shumë kroat janë larguar nga Kosova. Të shpërngulurit tashmë mundë të kthehen dhe të ndërtojnë një jetë të re në Kosovë. Gjithashtu Kryetari theksoi se: “ do të angazhohem që edhe kroatët, po ashtu edhe malazezët, të jenë pjesë e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”.

Duke folur për idenë e ambasadorit të Kroacisë për hapjen e Katedrës së gjuhës shqipe në Kroaci dhe asaj kroate në Kosovë , Krasniqi e përshëndeti këtë iniciativë duke vlerësuar se kjo do të shërbente në ofrimin në mes dy popujve tanë.

Në fund, kryekuvendari dr. Krasniqi e luti ambasadorin Vodopija t’ia përcjellë përshëndetjet e tij kryetarit të Saborit, z.Lluka Bebiq, duke e ftuar atë për vizitë në Kosovë, në një kohë kur do të ishte e përshtatshme për të.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti  ambasadorin e ri të Kroacisë, z. Zoran Vodopija