Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 23.03.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, u shqyrtua kërkesa buxhetore e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011.

Në këtë takim ishte i pranishëm Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson, i cili para anëtarëve të komisionit ka paraqitur në detaje të dhënat rreth kërkesës në fjalë.

Me këtë rast Olofsson sqaroi se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i ka dërguar kërkesën buxhetore Kuvendit dhe Qeverisë në tetor të vitit të kaluar. “Kjo kërkesë buxhetore u ndërtua në bazë të marrëveshjes që Kosova ka me Bashkimin Evropian, në kuadër të asaj që quhet Plani i Veprimit për Partneritet Evropian 2008-2010, sipas së cilës kjo organizatë për të kompensuar numrin e stafit ndërkombëtar që largohet dhe për ta plotësuar me staf vendor duhet të rritet çdo vit me 20 për qind”, sqaroi Olofsson.

Duke prezantuar para anëtarëve të komisionit dokumentin në fjalë, ai tha se kjo kërkesë është në pajtim me marrëveshjen që e ka Kosova, ndërsa mes tjerash ai deklaroi se buxheti për mallra dhe shërbime është zbritur.

Pasi shpalosi kërkesën buxhetore, Olofsson tha se sa i përket kësaj çështje nuk ka pasur ndonjë kundërshtim mes atyre dhe Ministrisë së Financave, por sqaroi se ky institucion ka nevojë për punësim të stafit të ri.

Anëtarët e komisionit kërkuan sqarime shtesë nga Auditori Gjeneral lidhur me kërkesën në fjalë, duke mos kursyer as kritikat për këtë institucion . Megjithatë, anëtarët e komisionit vlerësuan se përkrahin kërkesën në fjalë, por kërkuan nga ky institucion që në të ardhmen të jetë i një niveli më të lartë.

Pasi kërkesa në fjalë u mbështet nga anëtarët e komisionit, u sqarua se kjo çështje duhet të shqyrtohet edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa, e më pas të shkojë për miratim në Kuvend.

Gjatë këtij takimi u shqyrtua edhe kërkesa e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për emërimin e auditorit të jashtëm, për auditim të pasqyrave vjetore financiare për vitin 2010, me ç‘rast komisioni vendosi që të fillojë procedura e tenderimit për përzgjedhjen e auditimit në harmoni me dispozitat në fuqi.
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike