Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 25.03.2011




Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi. Një pjesë të mbledhjes e kryesoi, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. Para deputetëve një prezantim të këtij Projektligji e bëri, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili theksoi se para deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës jep përmbledhje të përpjekjeve dhe punës serioze të të gjitha institucioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës në përgatitjen e këtij projekt-buxheti. Ekspertë të shumtë, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë punuar palodhshëm nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave dhe janë përkujdesur që kërkesat dhe nevojat e të gjithë pjesëmarrësve në procesin buxhetor të bashkërendohen dhe harmonizohen mirë. Kjo punë e madhe është bërë me qëllim që të përgatitet një projekt-buxhet i balancuar, që adreson kërkesat e qytetarëve dhe që është në përputhshmëri me strukturën e deritashme të politikave të kujdesshme zhvillimore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Duke përkrahur dhe fuqizuar modelin e ekonomisë së hapur të tregut të lirë, përgjegjësia për çdo veprim të ndërmarrë përmes politikës fiskale është shumë e madhe, theksoi në vijim kryeminstri Thaçi. Çdo shpenzim më i lartë kërkon më shumë punë për t’u kujdesur se një veprim i tillë është i matur dhe rezulton me përfitime ekonomike e përmirësim të mirëqenies së qytetarit, që çdo iniciativë e re fiskale të mos rezultojë me një barrë të rënduar taksash për qytetarët tanë.

Në vazhdim z. Thaçi tha se Kosova nuk është shtet i izoluar, ndaj edhe ekonomia e saj nuk është e izoluar, dhe si e tillë ndikohet vazhdimisht nga ambienti i jashtëm ekonomik, andaj edhe politikat e reflektuara në projekt buxhetin e vitit 2011 janë hartuar duke marrë në konsideratë përparësitë dhe rreziqet që sjell ky model ekonomik. Por, mbi të gjitha, politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë hartuar duke pasur gjithmonë parasysh nevojën për përshtatjen e ambientit ekonomik të vendit tonë me standardet e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se ky projekt-buxhet është reflektim i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që ka për synim krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai është diskutuar deri në detaje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe me Komisionin Evropian, me të cilët janë harmonizuar pjesa më e madhe e gjërave dhe linjave buxhetore.

Këto diskutime po vazhdojnë ende me qëllimin e vetëm që Kosova të mbetet pjesë e Programit me FMN-në dhe natyrisht të përfitojë grantet financiare të premtuara. Diskutimet me FMN-në janë shumë serioze dhe po zhvillohen mbi bazën e argumenteve reciproke. Argumentet e Kosovës janë duke u analizuar në mënyrë shumë serioze nga FMN-ja dhe se i tërë ky proces do të përmbyllet me sukses, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme për obligimet që ka në kuadër të Programit me FMN-në dhe dëshiron të mbetet pjesë e këtij programi. Z. Thaçi shprehu bindjen se edhe FMN-ja i kupton nevojat e qytetarëve të Kosovës për një jetë dinjitoze, si dhe e kupton përkushtimin serioz të Qeverisë për disiplinë dhe qëndrueshmëri financiare.

Të dhënat aktuale dëshmojnë se ekonomia kosovare përkundër tronditjeve në tregjet ndërkombëtare, ka arritur të gjenerojë një rritje reale ekonomike mbi 4% gjatë vitit 2010, ndërsa për vitin 2011, departamentet e specializuara brenda institucioneve të Kosovës parashohin një rritje reale ekonomike prej 5.3%, nga ana tjetër Fondi Monetar Ndërkombëtar doli rishtazi me një parashikim më optimist, për një rritje reale të bruto prodhimit vendor prej 5.5%. Ekonomia kosovare arriti që ta tejkalojë mirë krizën ekonomike globale, dhe tani mund të vjelë rezultate të mira nga mundësitë që vijnë nga rimëkëmbja e ambientit të jashtëm ekonomik.

Ky buxhet ka për synim ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale të vendit, duke siguruar të hyra buxhetore në vlerë prej 1,264 miliard euro. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të arrijnë nivelin prej 1,434 miliard euro, ndërsa kjo rritje e shpenzimeve në masë të madhe i atribuohet investimeve kapitale madhore siç është autostrada “Ibrahim Rugova”, pastaj investimeve tjera infrastrukturore, siç janë rrugët Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, urave, ndërtimi dhe rehabilitimi i objekteve shkollore, spitaleve, qendrave të mjekësisë familjare dhe shumë projekteve tjera me rëndësi vitale për vendin tonë.

Kategoria e pagave dhe mëditjeve po ashtu paraqet një pjesë të rëndësishme të këtij buxheti, duke mundësuar kështu realizimin e plotë të vendimeve të Qeverisë për ngritjen e pagave të mësuesve, personelit shëndetësor, shërbyesve civilë, policëve, pjesëtarëve të FSK-së, doganierëve, inspektorëve tatimorë, zjarrfikësve dhe kategorive tjera të cekura në vendim.

Gjithashtu, kategoria e subvencioneve dhe transfereve ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar kështu ngritjen e mbështetjes për pagat për të gjithë invalidët e Luftës së UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve sipas vendimit të qeverisë.

Po ashtu, në këtë buxhet janë planifikuar mjetet për ngritjen e pensioneve dhe përfitimeve për të gjitha shtresat sociale, në harmoni me ligjin, i cili pritet shumë shpejtë të procedohet në Kuvend për miratim.

Lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një rritje të pagave në sektorët kryesorë, ka pasur diskutime të ndryshme të cilat shpeshherë përveç kritikës qëllim-mirë dhe korrektuese, kanë bartur me vete edhe tone kundërshtuese për qëllime politike.

Kosova është shtet i ri i mundësive shumë të mëdha, por nga pasojat e së kaluarës vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë, me buxhetin më të vogël në Evropë, me përqindjen më të lartë të të papunëve, me standardin më të ulët dhe pagat më të ulëta në Evropë. Këtë prapambetje shekullore duhet tejkalojmë. Këtë trend duhet dhe mund ta ndalim bashkërisht.

„Unë sot dua të sqaroj edhe një herë se vendimi për rritjen e pagave i marrë në janar të vitit 2011, ndoshta ka qenë një ndër vendimet e mia më të vështira për t’u ndërmarrë, mirëpo njëkohësisht, ai ka qenë një vendim i domosdoshëm, i arsyeshëm dhe shumë i përgjegjshëm, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike në vend. Pagat minimale ekzistuese në sektorët kyç të shtetit tonë nuk garantojnë shërbime cilësore dhe administratë funksionale shtetërore në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Unë kam dashur që ta ndryshoj këtë gjendje të rëndë të qytetarëve tanë. Unë dhe Qeveria e Kosovës nuk mund të lejojmë që dinjiteti njerëzor dhe intelektual e profesional i mjekëve, mësuesve, policëve, zjarrfikësve, doganierëve, inspektorëve tatimorë, shërbyesve civil, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të nëpërkëmbet edhe më tutje. Vendimi i Qeverisë synon t’i jap fund kësaj gjendje dhe unë e di se me këtë rritje të ndjeshme të pagave, standardi jetësor do të ndryshojë për të mirë jo vetëm për ata punonjës të cilët përfitojnë drejtpërsëdrejti nga kjo rritje, por kjo do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë. Rruga drejt një zhvillimi ekonomik që do t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës të ardhura dhe jetë të njëjtë me atë të qytetarëve nga shtete të zhvilluara, është rrugë e vendimeve të menduara mirë, e vendimeve të guximshme dhe e vendimeve të besueshme. Me përkrahjen e Buxhetit për vitin 2011, ne bashkërisht do të marrim vendime të tilla, të menduara, të guximshme, dhe të besueshme, vendime këto që mundësojnë një të ardhme të ndritshme ekonomike për Republikën e Kosovës“, theksoi kryeministri Thaçi.

Bedri Hamza, ministër i Financave, foli lidhur me disa aspekte ligjore dhe procedurale, strukturën e buxhetit, si dhe për rolin e këtij Projektligji në relacion me institucionet ndërkombëtare. Duke parashtruar disa nga parametrat pozitivë të ecurive financiare gjatë vitit të shkuar, dhe ata të planifikuar për vitin 2011, ai tha se gjatë vitit 2010 kishte një rritje mjaft të lartë të eksportit, ndërsa edhe në këtë vit vazhdojnë ecuri të rritjes në këtë lëmë, ndërsa kur është fjala për realizimin e shpenzimeve buxhetore, ato vjet arritën shkallën 94 për qind. Mbarë këtë parametra garantojnë qëndrueshmëri ekonomike, ndërsa kemi përafrim të qëndrimeve rreth këtyre çështjeve edhe me FMN-në, theksoi ministri Hamza.

Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa tha se pjesa e opozitës është dakorduar që ky Projektligj të shqyrtohet në Kuvend, por të mos miratohet në parim në komision, ndërsa shumica e Komisionit ka votuar pro këtij Projektbuxheti dhe i ka rekomanduar Kuvendit ta miratojë, ashtu që të krijohet mundësia e komisionit të bëjë përmirësimet e mundshme në fazat e procedimit të buxhetit. Projektbuxheti për vitin 2011 është një dokument i përgatitur mirë, në aspektin përmbajtjesor dhe teknik, përkundër kohës së shkurtër që ka pasur Qeveria për ta përgatitur dhe për ta dorëzuar në Kuvend. Në pjesën tekstuale, tha në vijim ajo, është rregulluar mënyra e ndarjes dhe e menaxhimit të mjeteve, Megjithatë, Komisioni ka vlerësuar se duhet bërë disa përmirësime në nenin 4, si dhe disa përmirësime teknike dhe gjuhësore gjatë amendamentimit të Projektligjit. Në saje të rritjes prej 19,3 të shpenzimeve në krahasim me vitin e kaluar, do të arrihet një mbështetje e shtuar financiare për punonjësit e spektrit publik dhe kategoritë sociale, ndërsa janë reduktuar shpenzimet jo produktive duke u përqendruar mjetet në projekte të rëndësishme kapitale në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi etj. Struktura e shpenzimeve, tha ajo, dominohet nga investimet kapitale me 40 për qind, ndërsa janë reduktuar shpenzimet për mallra dhe shërbime në 13 për qind. Problem më vete mbetet, theksoi Hadërgjonaj, buxheti i agjencive të pavarura dhe rregullatorëve ekonomikë, në mungesë të legjislacionit përkatës, sidomos kur është çështja e pagave dhe e mëditjeve të bordeve, tek të cilat vërehen laramani të mëdha.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, theksoi se Projektligji për buxhetin është në përputhje me projektet e zhvillimore të Qeverisë së Kosovës. Projektligji adreson mirë nevojat dhe krijon mundësi për ambient stimulues për zhvillim ekonomik. Duke folur rreth investimeve kapitale, ai tha se ato sipas këtij Projekti kapin shumën prej 373 milionë eursh, ose 26,5 për qind, ndërsa një segment i rëndësishëm zhvillimi në vitin 2011 do të jenë edhe subvencionet, të cilat gjithashtu shënojnë rritje në krahasim me vitin 2010.

Deputeti Naser Osmani tha se Grupi parlamentar i LDK-së konsideron se ky Projektbuxhet shpreh interesa të ngushta politike dhe nuk siguron qëndrueshmëri makro financiare. Ky buxhet, tha ai, iu ka përshtatur fushatës parazgjedhore të kryeministrit Thaçi, ndërsa nuk përfill rregullat e BE-së në këtë lëmë. Deficiti, u shpreh ai, do të jetë 226 milionë euro, ndaj kjo mund të rrezikojë që vendi të përballet me kolaps financiar. Ndërkaq, parashikimi i rritjes së pagave, përkatësisht 30, 40 dhe 50 për qind, nuk po përmbushen sipas parashikimeve të kryeministrit. Osmani propozoi që Projektligji t'i kthehet Qeverisë së Kosovës në mënyrë që Ligji mbi buxhetin të përmbajë burime reale të kompensimit të deficitit.

Në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi shpërputhjes në raportin eksport-import. Në këtë frymë ai pasi theksoi se Kosova ka mungesë të madhe të prodhimit, tha se gjatë vitit të kaluar importi i gjithëmbarshëm në Kosovë e ka tejkaluar vlerën perj 2,139 miliard euro, por është mbuluar nga eksporti vetëm me 294 milionë euro.

Meqë nuk ka prodhim, tha Ymeri, nuk ka as punësim. Kjo reflektohet edhe në standardin e popullsisë. Mbi 48 për qind e popullit të Kosovës jetojnë me jo më shumë se 1,8 për qind euro në ditë, e 18 për qind nuk i kanë as 92 cent në ditë, tha tutje ai. Shteti zhvillimor është krejt ndryshe, ai nënkupton rritje të theksuar të buxhetit për subvencionim të bujqësisë, rritje të investimeve në industri dhe miniera, krijim të fondit të rezervave shtetërore, krijim të kushteve të favorshme të tregut për prodhim vendor, krijim të fondeve zhvillimore etj.

Ardian Gjini, duke folur në emër të Grupit parlamentar të AAK-së, në fillim iu referua një pjesë të fjalës së ministrit Hamza, duke shtruar pyetjen se pse ai kur flet për sigurimin e 300 milionëve nga transferi i aseteve, nuk thotë nga shitja e aseteve. Sivjet, po e shitni PTK-në, por në mot çfarë do të shitni, pyeti ai. Duke folur për projektet kapitale ai tha se ato po barten nga viti i kaluar, ndërsa sa i përket investimeve, hetohet një ndarje joproporcionale sipas komunave, duke zënë në gojë në këtë vështrim sidomos Komunën e Therandës, e cila nuk gëzon investime përkatëse, në krahasim me komunat tjera.

Në emër të grupit parlamentar 6 plus, Enis Kervan, bëri disa vërejtje lidhur me linjën buxhetore për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke theksuar se për komunitetin turk nuk është i mjaftueshëm fondi i parparë i mjeteve financiare. Në këtë vështrim, ai propozoi që ndarja e buxhetit duhet të bëhet ndaras për komunitete, për shkak të problemit të financimit të librave shkollor , për të cilat duhen mjaft mjete. Ai në parim, në emër të grupit, përkrahu Projektligjin për buxhetin.

Në emër të grupit Parlamentar të AKR-së, në parim e përkrahu Projektligjin Ibrahim Makolli, ndërsa ne emër të Grupit parlamentar të SLS-së, Sasha Rashiq mbështeti në parim këtë Projektligj.

Në kuadër të debatit të gjerë deputetët nga radhët e opozitës kishin vërejtje në rrugën që është ndjekur rreth çështjes së ngritjes së pagave, por theksonin se nuk janë kundër rritjes së tyre. Ata shfaqnin mëdyshje edhe për atë se nga do të sigurohen burimet për mbulimin e tyre.

Vërejtje bëheshin edhe në përfshirjen e privatizimit të PTK-së në kuadër të Projektligjit. Arben Gashi tha se Komisioni për Legjislacion me shumicë votash ka konstatuar se neni 4 i Projektligjit është në kundërshtim me ligjet përkatëse dhe Kushtetutën, duke kërkuar njëherësh që ky nen të hiqet nga teksti i projektligjit. Përkitazi me këtë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se ky nen do të riformulohet.

Duke folur rreth çështjes së privatizimit të PTK-së, kryeministri Thaçi tha se privatizimi është reforme e jo shitje. Ndërkaq, procesi i privatizimit nuk ka filluar kur PDK-ja ka udhëhequr privatizimin.

Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011.

Në seancën e sotme u shqyrtua edhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave. Pas shqyrtimit, Kuvendi emëroi Komisionin Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave prej 17 anëtarësh, të përbërë nga Rifat Blaku,(kryesues), Naim Fetahu, Sanije Himaj, Hakile Xhaferi, Besnik Osmani, Shkumbin Kastrati, Fitim Gllareva, Murat Meha, Gazmend Çitaku, Isa Ukella, Ibrahim Shabani, Johan Axander, Karin Marmsoler, Nebojsha Azdenkoviq,Fikrim Damka, Mark Krasniqi dhe Burim Ejupi.
Mbledhja e Kuvendit