Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

, 29.03.2011




Për të diskutuar lidhur me implementimin e Ligjit për Barazi gjinore, në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ishte e pranishme edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Shqipe Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdaliu, fillimisht përshëndeti zonjën Krasniqi, dhe e informoi atë për punën e Komisionit, veçanërisht nga fushëveprimtaria e tij që ka të bëjë me barazinë gjinore. Ajo tha se Komisioni në vazhdimësi është përpjekur që standardi për barazinë gjinore të arrihet ashtu siç parashohin Ligji dhe normat ndërkombëtare. Në vijim, vazhdoi ajo, Komisioni ka bërë një varg aktivitetesh, duke organizuar tryeza pune dhe dëgjime publike me shoqata dhe OJQ, të cilat e trajtojnë këtë problematikë. Këtë praktikë pune, ku afirmohen të drejtat për barazi gjinore, Komisioni do të ndjekë edhe në të ardhmen, tha kryetarja e Komisionit, Novobërdaliu.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Krasniqi, duke dhënë një pasqyrë të këtij Agjencioni tha: “Që nga themelimi (2005), ky Agjencion funksionon në katër divizione. Divizionin për legjislacion, monitorim, bashkëpunim, buxhet dhe administratë”, tha ajo. Lidhur me sfidat që e përcjellin këtë Agjencion, ajo vuri në pah se buxheti prej 220 mijë Euro, është i pa mjaftueshëm për implementimin dhe hartimin e politikave të Agjencionit. Ajo me këtë rast përmendi Strategjinë kundër dhunës në familje të hartuar nga Agjencioni, e cila për shkak të mjeteve buxhetore s’është implementuar. Për sa i përket implementimit të Ligjit për Barazi Gjinore, ajo tha se gjatë një hulumtimi të bërë nga Agjencioni, ka rezultuar që ky Ligj nuk implementohet në tërësi. Duke folur për strategjinë e punës së Agjencionit për këtë vit, znj. Krasniqi tha:” Planifikojmë të rifunksionalizojmë Qendrën për Studime Gjinore, monitorimin e Ligjit kundër Dhunës në familje, dhe krijimin e një Sekretariati për Çështje Gjinore”.

Komisioni në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe disa ankesa dhe peticione të qytetarëve.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...