Lajmet e fundit

Kryeparalementari Krasniqi u takua me Apostulin e Selisë së Shenjtë në Hungari, i deleguar për Kosovë, Shkëlqesinë e tij, z. Juliusz Janusz

, 30.03.2011




Në vazhdën e takimeve zyrtare në Hungari, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, sot u takua me dekanin e trupit diplomatik në Budapest, Apostulin e Selisë së Shenjtë në Hungari, njëherësh edhe i deleguar për Kosovë, Shkëlqesinë e tij, z. Juliusz Janusz.

Në takimin që u mbajt në hapësirat e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hungari, kryetari Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Papa Benediktit XVI, për paqe, siguri, mbrojtje të të drejtave të njeriut në botë dhe në ngritjen e vlerave të civilizimit. Gjithashtu, kryetari Krasniqi vlerësoi lart ndikimin dhe kontributin e rëndësishëm të Papa Xhon Palit II, sidomos pas shembjes së komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kryetari Krasniqi përmendi rëndësinë e madhe të bashkëjetesës së religjioneve, me ç’rast Kosova vlerësohet si shembull i mirë. Krasniqi e uroi Shkëlqesinë e tij, z. Janusz, për misionin e ri në Slloveni, prej nga do ta mbulojë edhe Kosovën dhe e ftoi për vizitë në Kosovë.

Apostuli i Selisë së Shenjtë në Hungari, Shkëlqesia e tij, z. Juliusz Janusz, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe shprehu kënaqësinë e tij që do të jetë i deleguar për Kosovë, pra, do ta mbulojë Kosovën nga misioni i ri i tij në Slloveni. Apostuli Janusz shprehu interesimin dhe kërshërinë e tij për ta vizituar së shpejti Kosovën, si dhe për të kontribuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Kryeparalementari Krasniqi u takua me Apostulin e Selisë së Shenjtë në Hungari, i deleguar për Kosovë, Shkëlqesinë e tij, z. Juliusz Janusz